PD feston ditëlindjen në Gjirokastër
Data 14 janar 1991 shënon ditëlindjen e degës së PD-së në qytetin e Gjirokastrës. Një grup intelektualësh të shquar themeluan një nga degët e para të PD-së në rang Shqipërie. Kjo degë u krijua në shtëpinë e Dino Çiços nga z. Xhelil Beqiri, Sokol Karaulli, Robert Asqeri, Qezar Kotoni, Riza Rabi, Pavli Qendro, Drini Hila, Apostol Duka, Sedat Kotroçi etj. Qyteti i urtë i Gjirokastrës ato ditë jetonte terrorin e falangave të “Shoqatës së Enverit”, por kjo nuk e pengoi të mposhtte diktaturën komuniste. Lëvizjet studentore në Universitetin “Eqrem Çabej” u bënë një shtysë e madhe për rritjen e aksioneve të Partisë Demokratike, kështu, me shpejtësi të madhe u krijuan seksionet e para në të gjitha lagjet e qytetit, në fshatra e kudo. Po ato ditë, demokratët rrëzuan monumentin e Enver Hoxhës që rrinte në krye të qytetit si një hije e zezë. Besimi që kishin qytetarët tek PD-ja bëri që në 22 mars 1992 të fitonin deputetin e parë, Genc Rulin dhe në vite me radhë bashkinë e qytetit dhe më vonë prefekturën.
Sokol Karaulli