E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura Vajgurore, i shpërthejnë granatat në shtëpi, vdes 26-vjeçari

Ferit Kapuçi kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Greqia ku punonte si emigrant. Ai jetonte me bashkëshorten


BERAT- Shpërthimi i një bombole gazi në shtëpi ka qenë fatale për 26-vjeçarin Ferit Kapuçi, i cili ka ndërruar jetë rreth orës 16:30 të së hënës.


Zotërimi i disa granatave në shtëpi ka qenë ajo çka e ka bërë vendimtar fatin e kryefamiljarit, duke mos pasur kthim pas. Burime zyrtare të policisë së Beratit bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur pasditen e së hënës në qytezën e Urës Vajgurore. Në banesë ndodhej vetëm Ferit Kapuçi në një kohë që e shoqja kishte shkuar tek prindërit e saj.


Fillimisht ngjarja u dyshua të ishte e shkaktuar edhe nga vetë viktima, por pas hetimeve të ndodhura rezultoi se shpërthimi i një bombole gazi ishte zanafilla, ndërkohë që në banesë ndodheshin edhe disa granata. Këto të fundit e kanë rënduar ngjarjen, duke bërë që Ferit Kapuçi, i cili ndodhej i vetëm në shtëpi, të ndërronte jetë menjëherë gjatë shpërthimit. Bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur rreth orës 16:30.


Banorët tregojnë se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që ka ardhur nga banesa e katit të dytë në një pallat pesëkatësh, shpërthim që është shoqëruar dhe me rënien e xhamave të vetë banesës, por dhe një banese tjetër që ndodhej përballë saj. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët.


Brenda banesës ata kanë gjetur trupin e pajetë të Kapuçit. Mësohet se bashkëshortja e tij nuk ndodhej në banesë, pasi ishte te prindërit e saj. Ekspertët kanë vërejtur se dera e jashtme e banesës ka qenë e mbyllur nga brenda, ndërkohë që shpërthimi ka ndodhur në kuzhinën e shtëpisë dhe vala e saj ka shkatërruar gjithçka. Trupi i pajetë i 26-vjeçarit është dërguar më pas për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar hetimeve të rastit.


Nga këqyrja e kufomës është vënë re se viktima kishte ndërruar menjëherë jetë gjatë shpërthimit, pa mundur të bëjë asnjë përpjekje. Policia ka marë në pyetje familjarët e 26-vjeçarit nga të cilët ka mësuar se viktima disa ditë më parë ishte kthyer nga Greqia ku jetonte dhe punonte.


Çifti mësohet se jetonte në banesën me qira me të ardhurat që siguronte në emigrim Feriti. Sipas familjarëve, mesditën e djeshme bashkëshortja e tij kishte shkuar në banesën e prindërve të saj në Urë Vajgurore, ndërsa viktima është parë t'i drejtohet shtëpisë i vetëm.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›