E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirditë, 4 zyrtarë në pranga, përfitonin ndihmë ekonomike

MIRDITE- Katër zyrtarë të komunës Kaçinar në Mirditë janë vënë në pranga nga policia ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim, për falsifikim dokumentesh dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Policia e qarkut të Lezhës konfirmon arrestimin e arkëtares së komunës Kacinar, Flora Suti, të ish-shefit të Financës së kësaj komune, Pashk Gjoni, të sekretarit të këshillit aktual të komunës Gjet Shkurti, si dhe të Altin Gjokës, punonjës i postës së komunës.

Ndërkaq është shpallur në kërkim shtetasi me iniciale N. Ç, me detyrë ish administrator i ndihmës ekonomike të komunës Kacinar, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”. Ndaj të gjithë këtyre personave rëndojnë akuzat e fallsifikimit të dokumenteve dhe vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Ndërkohë që dy prej tyre përballen edhe me akuzën “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojne funksione publike”. Krerë të policisë së Lezhës konfirmojnë për NEWS24 se një ndër shkeljet që këta persona kanë kryer, ka qenë ajo me ndihmën ekonomike.

Nga 70 persona që figuronin se përfitonin nga kjo skemë, vetem 30 prej tyre merrnin realisht paratë në dorë, ndërkohë që pjesa tjetër shkonte në xhepat e zyrtarëve të komunës Kaçinar.

Abuzimi u denoncua 2 muaj më parë nga kreu aktual i kësaj komune Petrit Bardhi, i cili depozitoi edhe një denoncim në prokurori.
(s.g/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›