Miri i Xhikes, Tufa rekurs në Gjykatën e Lartë
TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Lartë dosja në ngarkim të Lavdërim Tufës, i dënuar me 20 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e biznesmenit Fatmir Rama (i njohur si Miri i Xhikes) në mars 2003. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Lartë, sipas të cilave Tufa i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të datës 23 maj. Në vendimin e tij Apeli i dha formë të prerë vendimit të Shkallës së Parë të shpallur më 30 nëntor 2011.
Në vendimin e saj, Shkalla e Parë nuk saktëson rolin e të pandehurit në veprën penale për të cilën ai është dënuar. “Gjykata krijon shumë dyshime për rolin e të pandehurit në këtë vepër dhe faktin nëse i pandehuri Lavdërim Tufa ka qenë njëri nga ekzekutorët apo vetëm bashkëpunëtor që ka ndihmuar ekzekutorët e kësaj vepre”, thuhej në vendim. Dosja në ngarkim të Tufës shkon për të dytën herë në Gjykatën e Lartë, pasi më herët, një vendim i një kolegji penal prishi burgimin e përjetshëm për Tufën dhe e ktheu dosjen e tij për rigjykim. a.b