E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, nuk gjendet Kumbaro

Ilir Kumbaro

TIRANE – “Zhbllokohet” gjykimi i dosjes “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Prej shtatë muajsh procesi gjyqësor në ngarkim të tre ish-sekretëve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si edhe rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt, ishte në ngërç. Shkak ishte pritja e një letër-porosie nga Anglia me përgjigjet e Ilir Kumbaros, i pandehur në proces. Në seancën e djeshme, trupi gjykues relatoi përgjigjen e autoriteteve britanike. Sipas materialit të dërguar nga britanikët, adresa e shtetasit Ilir Kumbaro nuk mund të gjendej dhe ishte e pamundur pyetja e tij. Gjykata për Krimet e Rënda, që prej muajit janar ishte në pritje të letër-porosive, ndërkohë që Kumbaro iu arratis Drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Më pas Gjykata revokoi vendimin për pyetjen e Kumbaros përmes letër-porosive. Në vijim, Gjykata administroi provat shkresore të Prokurorisë. Nga ana e tyre, mbrojtësit në proces paraqitën para trupit gjykues kërkesë për pyetjen e dëshmitarit Avdyl Loshaj. Më herët, gjatë gjykimit, Gjykata ka administruar pyetjen e Loshajt përmes letër-porosive nga Holanda. Në lidhje me këtë kërkesë, Gjykata për Krimet e Rënda do të shprehet në seancën e ardhme, që u caktua në muajin shtator. Ngjarja për të cilën akuzohen Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi është shënuar në vitin 1995 në Tiranë.     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›