E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shisnin drogë me ambulancën e spitalit

• Arrestohen në flagrancë duke shpër-ndarë drogë me autoambulancën e spitalit të Pogradecit.

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Shoferi i ambulancës dhe bashkëpunëtori i tij kishin zgjedhur këtë mjet për të maskuar dhe për të mos krijuar dyshime te policia për biznesin e tyre të paligjshëm. Policia bëri të ditur dje arrestimin në flagrancë të drejtuesit të ambulancës së spitalit të Pogradec, Ilmi Lipo, 42 vjeç, si edhe Mariglen Kovaçi, 22 vjeç, të dy banorë të qytetit. Arrestimi i tyre është bërë në orët e mbrëmjes të së mërkurës, teksa ishin duke shpërndarë doza të lëndës narkotike, që mendohet të jenë të tipit heroinë. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia e Pogradecit kishte disa ditë që po mbante nën vëzhgim dy personat. Pas konfirmimit të faktit që ata ishin duke lëvizur nëpër qytet me qëllim shpërndarjen e drogës, policia është vënë në veprim dhe i ka prangosur ata, ndërsa ka bllokuar automjetin ambulancë me të cilin lëviznin. Menjëherë, forcat e policisë kanë bërë një kontroll të hollësishëm në veshjet dhe në automjetin e Lipos dhe Kovaçit. Në xhepat e 22-vjeçarit janë gjetur 20 doza droge, nga 1 gram secila, të cilat ishin bërë gati për t'u shitur. Mësohet se porositësit e mallit ishin persona të njohur për Kovaçin dhe se ata e prisnin në mjedise të ndryshme si lokale, apo qoshe rrugësh, të përcaktuara më parë nga ata. Policia ka pohuar se kishte kohë që kishte rënë në gjurmë të shitjes së lëndës narkotike nga Lipo dhe Kovaçi. Ndërsa janë shoqëruar në pranga në komisariatin e Policisë së Pogradecit dy të arrestuarit kanë dhënë deklarimet e tyre përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Nga burime brenda radhëve të policisë mësohet se në fillim drejtuesi i mjetit Lipo ka mohuar faktin e të pasurit dijeni rreth punës që po kryente i riu që lëvizte me të nëpër qytet. "Më tha se kërkonte urgjencën për disa shokë dhe unë i shkova në ndihmë", është shfajësuar 42-vjeçari. Por ka qenë dëshmia e 22-vjeçarit Kovaçi ajo që ka dekonspiruar shoferin. Sipas Kovaçit, drejtuesi i ambulancës jo vetëm që ishte i implikuar në trafikun e drogës, por ai ishte njëherësh edhe poseduesi i lëndës narkotike. Kovaçi ka deklaruar se dozat ia kishte blerë drejtuesit të ambulancës Lipo dhe se së bashku po i shisnin te klientët e tyre. Por, dëshmitë e tyre janë vënë përballë fakteve të mbledhura prej kohësh nga policia, e cila kishte ndjekur aktivitetin e dy personave prej kohësh. Mbrëmjen e së mërkurës dy personat e mësipërm kishin dalë së bashku për të shpërndarë porositë e ditës, kur u goditën nga policia e luftës kundër drogës. Nga të dhënat e policisë, vetëm gjatë momentit të kapjes në flagrancë, 42-vjeçari ndodhej në timonin e makinës së punës, ndërsa në rastet e tjera ka vepruar me mjete të tjera transporti. Mësohet se në orën 04:00 të ditës së djeshme dy shpërndarësve iu është komunikuar masa e arrestit nën akuzën "prodhim e shitje e narkotikëve në bashkëpunim". Ata pritet që të dëshmojnë para hetuesve në lidhje me furnizuesit e tyre me drogën e shtrenjtë, pasi dy të arrestuarit e djeshëm rezultojnë vetëm shpërndarësit e thjeshtë dhe jo furnitorët kryesorë të tregut të Pogradecit. Dosja e hetimeve i kaloi Prokurorisë së rrethit të Pogradecit për hetime të mëtejshme, prej të cilave pritet të zbardhen dhe emrat e bashkëpunëtorëve të Lipos dhe Kovaçit në trafikun e drogës.           

Precedentët e trafikut
Në dy vitet e fundit janë shënuar disa raste të trafikut të kryer me makinat e spitalit. Vitin e kaluar, autoambulanca e spitalit të Fierit u bllokua në afërsi të Tiranës, me disa thasë të mbushur me marihuanë. Ndërsa në Gjirokastër në autoambulancë u gjetën të fshehur disa klandestinët, destinacioni i të cilëve ishte kufiri grek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›