E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishel Platini: Formula e re e Ligës së Kampioneve, ndihmë edhe për klubet shqiptare

Irgis Hysenaj
Formula e re e cila do të aplikohet në vitin 2009 në Ligën e Kampioneve, do të bëhet me qëllim që të rritet niveli i klubeve shqiptare dhe atyre ballkanike. Është ky objektivi që presidenti i institucionit numër një të futbollit evropian (UEFA), Mishel Platini, synon që të realizojë. Edhe pse ka pasur kritika të shumta në lidhje me këtë nismë, vetë numri një i UEFA-s mendon se më shumë do të ndihmohet futbolli evropian në tërësi se sa do të dëmtohet. Për më tepër që nga ana e specialistëve ka marrë vlerësime tepër pozitive. Vetë presidenti i UEFA-s iu përgjigjet kritikave se kjo është në të mirë të disa vendeve, të cilat në këtë mënyrë do të ndihmohen për t'u fuqizuar në futbollin. "Kam marrë vesh që të shprehen se niveli i lojës do të ulet. Unë mund të fusja në këtë kompeticion tetë klube angleze, tetë italiane dhe po aq spanjolle, por disa vende nuk do të mund të përfaqësoheshin", - u shpreh francezi. Platini vazhdon argumentin e tij duke thënë se do të ketë efekte pozitive për klubet shqiptare dhe rumune, duke përfituar më shumë të ardhura. "Në këtë mënyrë do të ketë efekte pozitive për klubet shqiptare ose rumune, që mund të fitojnë para me të drejtat televizive të Ligës së Kampioneve dhe të mbajnë lojtarët e tyre më të mirë", - vazhdoi ai. Kreu i institucionit numër një të futbollit evropian shton se efektet nuk do të shfaqen që në fillim, por është optimist se klubet dhe niveli i futbollit në Shqipëri dhe Rumani do të rritet. "Ndoshta në vitet e para këto skuadra do të kenë disi vështirësi, por me kalimin e kohës do të ketë më pak diferencime ndërmjet këtyre vendeve dhe atyre që kanë kampionate më të mira", - përfundoi Paltini. Kështu, duket se nisma e re nga ana e presidentit të institucionit numër një të UEFA-s, Mishel Paltini, ka marrë vlerësime pozitive nga ana e specialistëve të futbollit dhe kjo pasi në këtë mënyrë do të rritet niveli i futbollit evropian, duke e bërë akoma më konkurrues dhe të bukur këtë sport në "kontinentin plak". Specialistët evropianë mendojnë se duke aplikuar këtë formula, do të hapen tregje të reja në futboll, të cilat nga njëra anë do të qetësojnë cmimet, nga ana tjetër do të shtyjnë klubet e futbollit të nivelit mesatar që të investojnë më shumë në ekipet e tyre, që të jenë më kompetitive në fushën e lojës dhe në merkato. Kjo është një mënyrë e mirë që të luftosh fenomenin në të cilin është shndërruar futbolli, si një mënyrë për të bërë para dhe të rregullosh bilancet, sesa një sport që zbavit tifozët. Dhe është akoma më e rëndësishme për tifozët shqiptarë, të cilët tani mund të ëndërrojnë të shikojnë skuadrën e tyre të zemrës të luajë në kompeticionin më të rëndësishëm në Evropë, Ligën e Kampioneve. Edhe pse duket e vështirë, Platini beson në një gjë të tillë, ashtu si shqiptarët që tani do fillojnë të shpresojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›