Shpresat, miqësore me Maqedoninë më 6 shkurt

Shpresat e Shqipërisë do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me Maqedoninë, më 6 shkurt 2008. Lajmi konfirmohet nga trajneri i Kombëtares U-21 të futbollit, Artan Bushati, i cili saktësoi se takimi do të luhet në stadiumin "Flamurtari" të qytetit të Vlorës. Dy ekipet kanë zhvilluar edhe më parë ndeshje miqësore midis tyre, ku e fundit ka qenë ajo, më 28 mars 2007, ku Shqipëria fitoi në Manastir me rezultatin 1-0 (gol i Vangjel Miles). Më 6 janar përfundoi edhe zbori me kandidatë të U-21 dhe në të morrën pjesë 35 lojtarë nga kampionati shqiptar dhe të huaja. Bushati pohoi se kishte pëlqeyer katër prej tyre, të cilët do t'i vëzhgojë në vazhdimësi. Shqipëria U-21 e drejtuar nga Artan Bushati merr pjesë në grupin 1 eliminator të Kampionatit Europian 2009, së bashku edhe me Italinë (kryeson grupin), Kroacinë, Greqinë, Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe. Ndeshja e ardhshme e Shpresave është ajo kundër Greqisë, më 26 mars 2008.