Misioni i Vëshguesve të Këshillit të Evropës: Gati të ofrojmë ekspertizën për menaxhimin e suksesshëm të zgjedhjeve

Haxhinasto: Këshilli i Evropës të dërgojë sa më shumë vëzhgues
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Haxhinasto pret delegacionin e vëzhguesve parazgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Vizita e tyre bëhet në përgjigje të ftesёs sё Qeverisё shqiptare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të këtij Kongresi, për pjesëmarrje në monitorimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.
Në takim u diskutua situata parazgjedhore dhe përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit 2011.
Gjatë takimit, ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale për kontributin e vlefshëm në funksionimin e qeverisjes vendore nё vendin tonё.
Ministri Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar plotësisht për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm e transparent.
Po ashtu ai tha se krijimi i kimës së duhur të bashkëpunimit mes gjithë forcave politike do të ndihmonte në zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.
Ndërsa përfaqësuesit e misionit falenderuan qeverinë shqiptare për ftesën e bërë për pjesëmarrje në monitorimin e zgjedhjeve. Ata bënë një paraqitje të shkurtër të qëllimit të misionit të tyre, duke thënë se nuk do të jenë vetëm monitorues, por do të ofrojnë edhe ndihmën dhe eksperiencën e tyre në menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, ata vlerësuan progresin e bërë në Shqipëri dhe shprehen besimin për një proces zgjedhor të drejtë më 8 maj.
Konferenca për shtyp e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të punëve të Jashtme Z. Haxhinasto
Gazetari: Z Haxhinasto! Si shkoi takimi me delegacionin e Këshillit të Europës?
Haxhinasto: Unë sapo kam mbaruar takimin me delegacionin për Vëzhgim Parazgjedhor të Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës. Ka qenë një takim shumë i hapur. Kemi diskutuar për përgatitjet që qeveria dhe gjithë institucionet e tjera kushtetuese janë duke bërë për zgjedhjet e 8 Majit. Është theksuar në takim nga përfaqësuesit e Kongresit, përparimi i madh që ka bërë Shqipëria në të gjitha aspektet, përfshi dhe fushën e administrimit zgjedhor krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. U theksua se është e domosdoshme që zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve demokratike, kërkon një angazhim të të gjitha forcave politike në një proces të lirë e të drejtë, duke zbatuar ligjet dhe kodin zgjedhor të vendit tonë.
Gjithashtu, përfaqësuesit e KiE janë informuar edhe me elementë të veçantë të përgatitjes së administrimit zgjedhor si për çështjen e listave, komisioneve, por edhe për disa çështje të tjera për të cilat ata kanë patur interes.
Gazetari: Z. Haxhinasto! Janë shënuar një sërë incidentesh në kuadër të fushatës elektorale. A u diskutua për këtë çështje në këtë takim?
Haxhinasto: Është pyetur nga ana e përfaqësuesve se si do të trajtohen incidentet dhe sigurisht komenti i vetëm që mund të thuhet është se duhet të respektohet nga të gjithë ligji. Mënyra më e mirë për t’u marrë me incidente të tilla është vetëm t’i referohemi ligjit.
Gazetari: Gjithsesi incidentet po ndodhin në vazhdimësi...
Mendoj se të gjitha forcat politike duhet të reflektojnë përgjegjësitë e tyre insitucionale, politike dhe kushtetuese që kanë. Dhe militantët e forcave politike duhet ta bëjnë këtë gjë. Ju e dini shumë mirë që mazhoranca ka bërë një ofertë të hapur për një klimë të mirë të angazhimit të forcave politike në procesin zgjedhor. Mazhoranca ka bërë një deklaratë, e ka nënshkruar atë, ka kërkuar që të gjitha forcat të bëhen pjesë e kësaj deklarate, duke ofruar një klimë të përshtatshme në respektim të rregullave të lojës, në respektim të etikës politike zgjedhore. Fryma e kësaj deklarate duhet të përqafohet nga faktorët politikë që të shënojmë një rritje të vërtetë, të prekshme në zgjedhjet e 8 majit.
Pyetje. Do të vijojë të qëndrojë në Shqipëri delegacioni i Këshillit të Evropës?
Jo, ky delegacion do të qëndrojë vetëm për tre ditë. Një mision tjetër nga Kongresi i Autoriteteve Vendore do të vijë për monitorimin e procesit në ditën e zgjedhjeve.
Pyetje. Z. Ministër! Gjatë takimit, a diskutuat se sa do të jetë numri i vëzhguesve nga Këshilli i Europës?
Nuk kemi diskutuar për këtë. Sigurisht Këshilli i Evropës është i mirëpritur të dërgojë sa më shumë vëzhgues që të ketë mundësi....