E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia vë gjoba për mjetet, qytetarët nuk denjojnë t‘i paguajnë

Policia e Tiranës, duke paralajmëruar për masa të ashpra, këshillon qytetarët të paguajnë gjobat e marra gjatë fushatës për parandalimin e aksidenteve. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të paraqiten pranë zyrave të arkës në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Sipas policisë, kontrolle dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren ndaj atyre drejtuesve, të cilët nuk i kanë shlyer detyrimet e tyre që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Sa më sipër, shërbimet e Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 1759 masa administrative, me vlerë 98 5800 lekë. Gjithashtu, policia rrugore, në bashkëpunim edhe me patrullat e përgjithshme, ka pezulluar edhe tetë leje drejtimi. Policia e Tiranës u kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›