E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Raporti BB-së, nxitës për reformat ekonomike

Raporti i Bankës Botërore, “Si të bësh biznes në 2009”, ku Shqipëria vlerësohet si vendi i dytë në botë për reformat ekonomike, është vlerësuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Ministri i Financave e ka cilësuar këtë raport si nxitës të mëtejshëm për reformat ekonomike në Shqipëri. Kreu i Financave theksoi dje për median se ky raport është inkurajues për qeverinë, për të ulur më tej taksat dhe për t’i krijuar më shumë lehtësi biznesit. “Vlerësimi i Bankës Botërore do të shpërbejë si motiv i mëtejshëm për qeverinë, për të ecur me shpejtësi në rrugën e reformave të deklaruara”, - ka deklaruar dje ministri Bode. Dy ditë më parë Banka Botërore, një nga institucionet më prestigjioze për vlerësimin e reformave në fushën e ekonomisë në botë, publikoi klasifikimin e ri për vitin 2009, që përmbledh periudhën qershor 2007–qershor 2008 dhe vlerëson reformat e qeverive të ndërmarra në 181 vende në botë, në të cilat BB është prezente me misionet e saj. Sipas këtij raporti, Shqipëria deklarohet 1 ndër 10 vendet më reformatore gjatë kësaj periudhe dhe e dyta në botë për nga thellësia dhe efektet që japin këto reforma në fushën e ekonomisë. “Lehtësimi i procedurave për të bërë biznes përbën një prej elementëve kryesorë në vlerësimin e angazhimeve dhe kontributeve që japin qeveritë në fushën e reformave për zhvillimin e shpejtë të ekonomive të vendeve respektive. Sigurisht që kjo përbën një nga premisat kryesore për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit, për ridimensionimin e peshës dhe ritmit të zhvillimit të sektorit privat në vendet respektove”, - ka deklaruar dje ministri Bode. Kanë qenë 4 tregues nga 10, ku progresi i bërë në harkun e një viti ka qenë vlerësuar nga BB dhe agjencitë e saj, të cilat mundësuan shpalljen e Shqipërisë si vendi i dytë më reformator në botë, në raport me ekonominë në harkun e një viti, konkretisht: mbrojtja e investitorëve, krijimi i një klime që garanton investitorët në nismat e tyre investuese në vendet respektive, konkretisht në Shqipëri; reformat fiskale ka qenë një tjetër tregues që ka përfshirë Shqipërinë si një nga vendet që ka bërë reformën më të thellë në fushën e pagimit të taksave; reformat në marrjen e kredive, si dhe reformat për thellimin e biznesit, përmes zbatimit me sukses të QKR–së. Ministri i Financave nënvizoi se të gjitha këto reforma i japin Shqipërisë një vlerësim tepër pozitiv, duke u renditur në vendin e dytë në botë mes 10 vendeve më reformatore në harkun e një viti dhe duke u klasifikuar në vendin e 86-të, nga vendi i 135-të që ishte një vit më parë ose e thënë ndryshe, duke avancuar me 50 shkallë vetëm në harkun e një viti midis 181 vendeve që marrin pjesë në këtë mbikëqyrje dhe vlerësim të BB-së.

Ndër të tjera ministri Bode ka përmendur reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, që kanë bërë që të jepen këto vlerësime nga Banka Botërore. Ai përmendi reformën për uljen e taksave, e cila konsiston fillimisht në uljen nga 20 %-10 % të tatimit mbi fitimin, taksën mbi korporatën. Kjo përbën uljen më të madhe nga çdo vend tjetër në botë, krahas reformave të tjera të ndërmarra vitet e kaluara dhe që kanë pasur si qëllim uljen e nivelit të taksave mbi biznesin dhe kompanitë. Duke iu referuar raportit, Bode nënvizoi se ai “përbën një inkurajim për qeverinë shqiptare për të vazhduar me politikën e uljes së taksave në raport me biznesin. Ju e dini që ne kemi deklaruar dhe së shpejti do të miratojmë në Kuvend, uljen e pjesës së kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguajë biznesi. Nga 30 % që ka qenë në vitin 2005, u ul në 20 % në fillimin e vitit 2007 për të zbritur në nivelin 15 % në 1 janar 2009”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›