Mister fati i pacientit të zhdukur nga spitali
Mbetet ende mister fati i 66-vjeçarit nga fshati Cakran, i cili prej pesë ditësh është larguar nga dhoma e spitalit të Fierit, ku ishte shtruar për probleme kardiake. Policia lokale nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së Sami Memushit, ndërkohë familjarët i janë drejtuar institucionit të prefektit, duke kërkuar ndërhyrjen e këtij të fundit për të angazhuar autoritetet e shtetit. Megjithëse prefekti ka vlerësuar punën e bërë nga policia për këtë rast, ka shprehur gatishmërinë e tij për gjetjen e zgjidhjes. Burimet zyrtare të policisë pranojnë për “Shqip” se kanë marrë në pyetje disa nga punonjësit e repartit të sëmundjeve të brendshme pranë Spitalit Rajonal të Fierit. Bëhet fjalë për infermierët që kanë qenë në turnin kur është konstatuar zhdukja e Sami Memushit, si dhe ai grup mjekësh që po ndiqte trajtimin mjekësor të tij. Sami Memushi është shtruar në spitalin rajonal të Fierit në datën 13 korrik, pas një goditjeje në zemër. Dy ditë më vonë, më 15 korrik, ai rezulton i zhdukur, fakt që është konstatuar nga të afërmit që i kanë shkuar për vizitë dhe jo nga bluzat e bardha që e kishin marrë në “patronazh”.
#