Ryshfet për të mos kapur kriminelin, pranga policit
Arrestohet nga SHKB-ja një efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, i akuzuar për mitëmarrje dhe shpërdorim detyre.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, rreth orës 15:30, kur efektivi i policisë së shtetit, Kleanthi Lazaj, 30 vjeç, është ndaluar nga kolegët e tij në ambientet e komisariatit të qytetit bregdetar. Burimet e policisë bëjnë të ditur se 30-vjeçari ka marrë një shumë prej 500 mijë lekësh nga një i kërkuar prej drejtësisë shqiptare, në favor të lehtësirave dhe fshehjes së vendndodhjes së tij.
Ka qenë një hetim dymujor nga sektori i krimit ekonomik pranë ShKB–së së policisë të Vlorës, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai që ka çuar në pranga uniformën blu.
Kleanthi Lazaj, oficer policie pranë sektorit të krimeve dhe kërkimeve ndaj personave të shpallur në kërkim, është ndaluar nën akuzat “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Sipas burimeve të policisë lokale, ndaj 30-vjeçarit, efektiv i Policisë së Shtetit, kishin nisur hetimet rreth dy muaj më parë. Kanë qenë disa të dhëna të grumbulluara në rrugë operative dhe përgjimet ato që kanë çuar në nisjen e hetimeve dhe finalizimin e tyre me prangosjen e Lazajt. Në përfundim të hetimeve dymujore ka rezultuar se oficeri i policisë i ka kërkuar dhe ka marrë nga një person i shpallur në kërkim 500 mijë lekë si shpërblim për të mos e arrestuar dhe për të mos deklaruar pranë kolegëve të tij vendndodhjen e keqbërësit.
Duke kryer këtë akt, punonjësi i policisë akuzohet për dy vepra penale, “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”. Ndërkaq, mësohet se SHKB-ja dhe prokuroria do të vazhdojnë hetimet e mëtejshme për zbardhjen e kësaj çështjeje, si dhe aktivitetin e punonjësit të policisë kriminale të sektorit të personave të shpallur në kërkim.
Kjo për të parë nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar, apo mitëmarrja ishte shndërruar në një fenomen të zakonshëm gjatë punës së përfaqësuesit të Policisë së Shtetit. Në vijim të hetimeve do të punohet edhe për zbulimin e personave që mund të kenë bashkëpunuar me 30-vjeçarin.
Lazaj ka më shumë se një vit që punon në sektorin e personave të shpallur në kërkim pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës. Ai tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit të policisë së Vlorës dhe materialet për këtë çështje i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme, për kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”.