E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes elektricisti, duke u prerë dritat debitorëve

Mallakastër Ra në kontakt me rrymën në një shtyllë të tensionit të lartë. Nuk kishte mjete mbrojtëse

Vdes aksidentalisht elektricisti i filialit të OSSH-së Fierit, ndërsa ishte duke punuar në një aksion për ndërprerjen e energjisë elektrike. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës. Viktima është Gentian Zoto, 37 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Ballsh, mësohet se 37-vjeçari Zoto ka qenë duke punuar bashkë me 5 kolegë të tjerë kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Ai ishte nisur mëngjesin e së hënës nga Lushnja në drejtim të Mallakastrës. Me një listë të gjatë të zonave problematike lidhur me vjedhjen e energjisë, brigada ku bënte pjesë Gentian Zoto është përqendruar rreth orës 09:00 të së hënës në fshatin Drenovë të Komunës Qendër në Rrethin e Mallakastrës. Banorët e fshatit Drenovë kanë dy javë pa energji, pasi rezultojnë debitorë që prej muajit janar të këtij viti. Të hënën, brigada e elektricistëve ka shkuar për të vijuar aksionin e prerjes së energjisë, si dhe për vendosjen e sistemit të ri matës. Burimet nga vendi i ngjarjes pohojnë për “Shqip” se në vijim e sipër të aksionit, 37-vjeçari ka hipur në një shtyllë të tensionit të lartë dhe ndërsa ishte duke bërë shkëputjen, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe më pas ka rënë nga lartësia e shtyllës. Kolegët dhe banorët e zonës kanë rendur për t’i dhënë ndihmën e parë, por ai ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Gentian Zoto, banor i fshatit Kolonjë, punonte prej disa vitesh në sektorin energjetik të Lushnjës.

Mjetet e vetme të një elektricisti të filialit të OSSH-së Fier janë pincat. Sa për rregullat e sigurimit në punë, nuk ekzistojnë për asnjë nga punonjësit e Fierit. Kjo pranohet jo vetëm nga vetë punonjësit, por edhe nga drejtuesit. Me ardhjen e çekëve në krye të OSSH-së është arritur vetëm sigurimi i një uniforme të re për punonjësit që ndërpresin energjinë, por masat e sigurisë teknike nuk janë plotësuar ende. Edhe të hënën aksioni që përfundoi aksidentalisht ka nisur vetëm me një palë pinca dhe shkallë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›