Vonojnë të dhënat për pasuritë
TIRANE - Në kohën kur në Prokurori kanë mbërritur të dhënat kryesore që janë kërkuar nga bankat për depozitat dhe llogaritë që ekzistojnë në emër të biznesmenit Damir Fazlliç dhe kompanive në pronësi të tij, të dhënat nga Hipotekat për pronat e paluajtshme ende po vonojnë. Prokuroria e Tiranës i është drejtuar zyrës qendrore të regjistrimit të Pasurive me një kërkesë për informacion lidhur me pasuritë e paluajtshme që zotëron në vendin tonë, biznesmeni boshnjak në hetim Damir Fazlliç. Deri më tani në organin e akuzës që po zhvillon hetimet hipotekat kanë kthyer vetëm përgjigjen paraprake se janë duke bërë verifikimet e kërkuara nga institucioni i akuzës. Prokuroria tha se ka kërkuar një evidencë të pasurive të Damir Fazlliç me qëllim verifikimin e veprimeve që janë kryer me to, mënyrës si janë përfituar dhe mundësisë së bllokimit të tyre në rast se provohet se 33-vjeçari ka kryer vepër penale në Shqipëri.