E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Po të kesh lidhje me Topin merr post në Prokurori

 

Deputetët e PD-së kritikojnë emërimet e fundit në sistemin e drejtësisë, të ndërmarra nga Presidenti Topi. Ndriçim Babasi, deputeti i grupit parlamentar demokrat tha dje se emërimet e fundit në këtë sistem nuk i shpëtuan mitmarrjes, madje sipas tij mjafton të kesh lidhje me segmente të presidencës dhe mund të emërohesh në poste të rëndësishme. "Emërimet e fundit nuk i shpëtuan mitmarrjes apo akteve korruptive të emërimeve në prokurori e gjykata, por mjafton të kesh miqësi me segmente të caktuara presidenciale dhe emërohesh kryeprokuror apo kryegjyqtar. Reformë në drejtësi nuk do të thotë mprehje e shpatave vetëm ndaj atyre që kanë kryer një vepër penale por dhe ndaj atyre prokurorëve apo gjyqtarëve të paaftë dhe të korruptuar, që kanë thyer ligjin dhe kanë kthyer prokurorinë e gjykatën në një institucion tregtie. Kjo është pasqyruar në raportet e OSBE dhe organizatave të tjera", tha deputeti i PD-së, Ndriçim Babasi. Duke iu referuar tryezës së fundit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët i kërkuan qeverisë të tërhiqet nga ligjet e fundit të sistemit të Drejtësisë, Babasi tha se këto gjykata duhet të zbardhin dosjet që kanë zënë pluhur në arshivat e tyre. "Shoqatat e Prokurorisë dhe të Gjykatave të mos mblidhen vetëm për mbrojtjen e lirive të tyre, duke ftuar në këto takime edhe shoqatën e pazarbërësve të tyre, avokatëve, por të mblidhen të shqyrtojnë dosjet e pluhrosura në arshivat e këtyre gjykatave dhe prokurorive, sepse do të ishin më të besuar", theksoi Babasi. Në fund ai iu referua neglizhencës së këtyre institucioneve edhe për një rast në zonën e tij në Fushë Krujë. "Vrasja e 9-vjeçarit nga Fushë Kruja që pasi u masakrua dhe e varrosën për së gjalli, u gjend pas disa ditësh, dhe prokuroria dhe gjykata akoma nuk kanë zbardhur çështjen që do të shuante sado pak brengën e asaj nëne, që edhe në këto momente po vajton djalin e saj bashkë me drejtësinë shqiptare. Kjo është detyra parësore e prokurorisë, për këtë e paguajnë taksapaguesit dhe jo për t'i dhënë të drejta ofiqe dhe atribute vetes", përfundoi Babasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›