E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteri, paqeruajtësit shqiptarë ikin nga Iraku

Flamuri kombëtar shqiptar është ulur me një ceremoni të posaçme nga baza ajrore e Mosulit në veri të Irakut, për t‘u kthyer në atdhe pas 5 vjetësh valëvitjeje me krenari në vendin aziatik. Misioni i komandove shqiptarë në Irak ka përfunduar dhe nesër 218 pjesëtarët e trupave elitë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të kthehen pranë familjeve të tyre. Lajmi i mbarimit të misionit shqiptar në Irak ka bërë dje xhiron e botës pas një shkrimi të agjencisë "Reuters" nga Bagdadi, ku bëhej i ditur largimi i misioneve të vendeve të vogla që janë rreshtuar në një koalicion përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç mësohet, gjithçka ka ardhur pas një marrëveshjeje të qeverisë irakiane të Kryeministrit Nuri Al Maliki me forcat e koalicionit. Sipas kësaj marrëveshjeje, forcat e sigurisë irakiane do të nisin të marrin dalëngadalë kontrollin e vendit, duke bërë një "provë gjenerale" me detyrat që kanë pasur trupat e shteteve të vogla aleate të SHBA-së në terren.

Vizita

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Gazmend Oketa, ndodhet në Irak pikërisht për të asistuar në mbylljen e misionit të trupave shqiptare. Oketa, për arsye sigurie ka zhvilluar një vizitë të karakterit sekret në Bagdad dhe Mosul, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e uljes së flamurit. Oketa, së bashku me ushtarakët do të kthehet në Shqipëri nesër në mëngjes. Përfundimi i misionit paqeruajtës të Shqipërisë në Irak nuk shihet si ndryshim i qëndrimit ndaj pozicionit të deritanishëm. Përkundrazi, zyrtarët në Tiranë nuk e kanë vënë ndonjëherë në dyshim qëndrimin në përputhje dhe bashkëpunim të plotë me aleatët amerikanë. SHBA shihen në Shqipëri si mbështetësit kryesorë të afrimit të vendit drejt NATO-s. Trupat shqiptare kanë një kontingjent prej 218 ushtarakësh dhe ndodhen në Bagdad e Mosul. Misioni i Shqipërisë me trupa paqeruajtëse në Irak ka nisur 5 vjet më parë. Gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar ndonjë incident serioz dhe nuk ka pasur asnjë viktimë nga radhët e ushtarakëve shqiptarë. Vendimi i largimit të trupave të vendeve të vogla aleate është bërë pjesë-pjesë, por është marrë disa kohë më parë. Madje është firmosur edhe një deklaratë mes qeverisë së Bagdadit dhe Komandës së Forcave të Koalicionit. Para pak ditësh u larguan trupat e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkaq, bashkë me trupat shqiptare do të largohen dhe trupat e ushtrisë maqedonase. Shqipëria ishte një nga vendet e para që iu bashkëngjitën koalicionit anti-terror të drejtuar nga SHBA në vitin 2008 në fillim për "Lirinë e Irakut" dhe më pas për rindërtimin e tij. Gjatë misionit 5-vjeçar, trupat ushtarake shqiptare kanë lënë një përshtypje të mirë si te kolegët e vendeve perëndimore, ashtu edhe te popullsia vendase. Përveç mosndodhjes së incidenteve serioze, ushtarakët shqiptarë kanë treguar profesionalizëm dhe disiplinë. Misioni ynë në Irak ka shërbyer kryesisht në kryeqytet, por pjesa kryesore ka qenë në veri të vendit në Mosul, një qytet problematik, ku komandot kanë shërbyer në ruajtjen e sigurisë së aeroportit.

Ditari i trupave komando

"Operacionet më të vështira në Irak"

"Futja në Irak nga veriu i Kuvajtit deri në Bagdad, me masa të plota sigurimi nga vetë ne, duke shkelur në zona që në çdo çast ishte prezent dhe na kërcënonte rreziku. Rruga që përshkruam për të arritur në Bagdad ishte 600 km, koha dy ditë. Shoqërimi i 2 konvojeve për sigurimin e grupit operacional të Divizionit të 101 Airborne në datën 23 prill, për daljen nga zona e rrezikshme e Bagdadit në një distancë prej 40 km. Shoqërimi i 4 konvojeve të shtabit të D101ABN më 25 prill me të gjitha masat e sigurimit nga ana jonë. Përbërja e këtyre konvojeve shkonte deri në 318 makina, ku detyra jonë ishte sigurimi nga goditjet e befasishme të kundërshtarit, pasi lufta në këtë kohë nuk ishte shpallur e përfunduar dhe vatra të vogla të besnikëve të regjimit të Sadamit mundoheshin të godisnin forcat e koalicionit në hapësirat që mund të krijoheshin. Kjo për ne ishte detyra më e vështirë nga planizimi dhe përdorimi i forcave, e deri në finalizimin e veprimeve që do të kryheshin nga ushtarët tanë. Në këtë detyrë kërkohej lëvizje e manovrime të shpejta të forcave për të bllokuar autostradat e Bagdadit për minuta të tëra dhe për të krijuar lehtësi dhe siguri, në mënyrë që ata të lëviznin të sigurt edhe në zonat problematike, siç ishin dalja e Bagdadit, kalimi i qytetit të Tikritit (vendlindja e Sadamit), Samarrah etj. Gjithashtu, me dislokimin e forcave tona në Mosul, kemi kryer detyra të vështira, si sigurimi i aeroportit të Mosulit, në bashkëveprim me një kompani tankesh amerikane. Përveç 8 pozicioneve të luftimit, ne siguronim edhe forcën e reagimit të shpejtë. Qëllimi ishte përballimi i rrezikut të nivelit të shkallës së parë (sulmi ndaj aeroportit) dhe vonimi i rrezikut të nivelit të shkallës së dytë (depërtimi në aeroport). Kemi mësuar disa sulme të drejtpërdrejta, por më e rënda ka qenë goditja me granatë dore e patrullës në qytet, ku u plagos ushtari M. Leka (15 shtator). Bashkëpunimi me ushtrinë e re irakiane ka konsistuar në vendosjen e lidhjeve miqësore me ushtarakët e rekrutuar rishtas, me qëllim lehtësimin e punës për koordinimin e veprimeve të përbashkëta. Marrëdhëniet me popullsinë lokale: gjatë patrullimeve, por edhe në rastet e tjera të daljes në qytet, kemi fituar respektin e shumicës së popullsisë me qëndrimet tona korrekte, si dhe ndihmën e ofruar për zbutjen e problemeve të tyre".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›