E Diel, 1 Nëntor 2026

Venecia: Ndryshimi i Kushtetutës për Kryeprokurorin, hap prapa

Ndryshimet kushtetuese, të adaptuara në prillin e vitit 2008, janë përgjithësisht në të njëjtën linjë me standardet e Bashkimit Evropian. Në këtë konkluzion ka arritur Komisioni i Venecias në raportin që bën për ndryshimet e fundit në ligjin themeltar të shtetit tonë. Po sipas raportit, "shumica e ndryshimeve mund të konsiderohen si përmirësime dhe qartësime të ligjeve ekzistuese". Një gjë e tillë, vijon dokumenti, nuk aplikohet në rastin e ndryshimeve në nenin 104, për sa i përket votëbesimit dhe nenit 149 në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm. "Në realitet, ndryshimet e fundit janë një kthim mbrapa, duke e bërë këtë institucion më pak të pavarur", vlerëson Komisioni i Venecias. Sakaq, ndryshimet kushtetuese te ligji i zgjedhjeve duken të mirëpritura. Në këtë mënyrë, thuhet në raport, Kushtetuta do të përmbajë më pak elementë të detajuar të rregullave zgjedhore. "Një veprim i tillë është i mirëpritur për sa kohë procedura ligjore që do të ndryshohet do të jetë në të njëjtën linjë me standardet e Bashkimit Evropian", thotë Venecia. Pas analizimit të ndryshimeve konstatohet se në mënyrë të veçantë është shumë e rëndësishme që ligji mbi procesin zgjedhor të përfshijë ekzistencën dhe funksionimin e një organizmi të pavarur dhe të plotë për organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve. "Sistemi i ri zgjedhor, i bazuar në sistemin proporcional brenda zonave, është i njëjtë me sistemin që zbatohet në vendet e tjera evropiane. Një model i tillë duket të jetë i mirë, duke qenë se synon një balancë ndërmjet afërsisë së nevojshme mes votuesve dhe të zgjedhurve dhe nevojës për një sistem përfaqësimi, për sa kohë zonat elektorale nuk janë shumë të vogla", nënvizon raporti. Për këto arsye, vlerësohet se vënia në veprim e këtyre ndryshimeve kushtetuese në ligjin mbi zgjedhjet është e një rëndësie të veçantë dhe Komisioni i Venecias është i gatshëm të ofrojë ndihmën në rishikimin e ligjit të zgjedhjeve. Komisioni vë në dukje shpejtësinë me të cilën kanë kaluar ndryshimet kushtetuese dhe insiston se do të duhej një konsultim i gjerë me aktorët politikë, shoqërinë civile dhe publikun. Komisioni i Venecias konstaton se nuk ka siguri kushtetuese që nuk do të ndryshojë numrin e rajoneve mbi të cilat do të organizohet procesi zgjedhor me sistemin proporcional rajonal. Sa më i vogël të jetë rajoni, aq më e vështirë konsiderohet për partitë e vogla që të përfaqësohen në parlament. Gjithsesi kjo, thotë Komisioni i Venecias, nuk konsiderohet në kundërshtim me standardet evropiane dhe reforma duhet konsideruar pozitive. Sa i takon zgjedhjes së Presidentit, komisioni konstaton se është i mirëpritur ndryshimi, por gjithsesi në frymën e konsensusit që kërkohet mes pozitës dhe opozitës, neni i ri bën që vendimi të merret edhe jashtë konsensusit të madh. Në raport thuhet se një çështje që ka diskutime është edhe dhënia e kompetencave të kreut të shtetit, drejtuesit të Parlamentit në rastet e veçanta kur Presidenti është në pamundësi. Komisioni kritikon nenin 104 që flet për mocionin e besimit që paraqet Kryeministri, duke konstatuar se forcon rolin e ekzekutivit përballë legjislativit. Sa i takon nenit 105 për mocionin e mosbesimit, konsiderohet si një rast i ngjashëm me modelin gjerman dhe që favorizon stabilitetin e sistemit politik. Duke komentuar nenin 149 për prokurorin e përgjithshëm, komisioni thotë se ky është një hap prapa dhe se mandati i shkurtër me kusht rizgjedhjeje mund të bëjë që vendimet e kreut të akuzës të ndikohen nga dëshira e atij ose asaj për t‘u rizgjedhur në këtë post.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›