Rama: Projektligji për "dosjet", gati të ulemi në tryezë negociatash
Partia më e madhe e opozitës ritheksoi dje vullnetin e saj për të dialoguar me mazhorancën për një ligj evropian të "pastërtisë së figurës". Kreu i socialistëve, Edi Rama, tha se pas shfaqjes së turpshme të Kryeministrit me dosjet e komunizmit për të mbuluar dosjet e korrupsionit, nuk reagoi vetëm Partia Socialiste, po edhe qeveria e SHBA-së dhe OSBE-ja, "të cilat sigurisht nuk mund të akuzohen as si të lidhura me diktaturën dhe as si të interesuara për të fshehur ish-bashkëpunëtorët e saj", tha Rama. Opozita shqiptare, sipas tij, qeveria e SHBA-së dhe OSBE-ja mbrojnë praktikisht të njëjtin mendim në kundërvënien ndaj projektit të papranueshëm të Sali Berishës: Ky është një projekt antikushtetues. "Kambanat bien përsëri për Sali Berishën. Ai duhet ta kuptojë se dosjet e mëkateve të së shkuarës ndaj një populli të tërë nën diktaturë, nuk hapen duke shkelur Kushtetutën e votuar nga populli në demokraci", u shpreh Rama, teksa këmbënguli se dosjet e mëkateve të regjimit, të cilit Sali Berisha i shërbente dje, nuk hapen për të mbuluar mëkatet e qeverisë që Sali Berisha drejton sot. "Dosjet, vijoi ai, që zbulojnë fijet me të cilat pushteti komunist përçonte në çdo qelizë të shoqërisë së djeshme terrorin psikologjik dhe mekanizmat e njerëzit përmes të cilëve ai regjim kriminal ushtronte dhunën e diktaturës së proletariatit, nuk hapen për të fshehur fijet që lidhin sot qeverinë e Sali Berishës e vetë Kryeministrin me botën e përfitimeve të paligjshme dhe as për të penguar hetimin e mekanizmave e të njerëzve përmes të cilëve diktatura e sotme e korrupsionit bëri krimin e Gërdecit, grabitjen e fondeve të rrugës së kombit apo pasurimin marramendës të sekserit serb të Kryeministrit të Shqipërisë", nënvizoi Rama. PS mendon se dosjet e padrejtësisë barbare që quhej komunizëm dhe që bazohej në zellin e verbër të shërbëtorëve të komunizmit si Sali Berisha, nuk mund të përdoren për të shkatërruar në rrugë antikushtetuese pushtetin gjyqësor, duke bërë një padrejtësi të re ndaj popullit shqiptar. Rama insistoi se Sali Berisha nuk mund t‘i kërkojë llogari as opozitës dhe as prokurorëve e gjykatësve pse merren me lulet e korrupsionit në oborrin kryeministror. "Ai duhet t‘u japë llogari të përndjekurve, që i qan me fjalë e i tall me vepra, se ku kanë shkuar 16 milionë dollarët që ai ka miratuar në Parlament në tri vite për dëmshpërblimin e tyre dhe pse asnjë qindarkë e vetme dëmshpërblim nuk u është dhënë sot e gjithë ditën të përndjekurve politikë", argumentoi Rama. "Duke falënderuar qeverinë e SHBA-së dhe OSBE-në, shtoi ai, për ndihmën e paçmuar që ofruan edhe në këtë rast, përsëris se duam hapjen e dosjeve, e të gjitha dosjeve".