E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Të penalizohen edhe deputetët

Ministri dhe deputeti i PAA-së, Lufter Xhuveli, përfshihet në debatin për hapjen e dosjeve të sigurimit famëkeq të komunizmit, duke kërkuar hapjen urgjente të tyre. Një prej ministrave më "të vjetër" të kabinetit qeveritar shprehet se nuk përbën problem për Parlamentin e sotëm në rast se penalizohen disa deputetë që kanë pasur lidhje me komunizmin.

Sa i përket ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, tha: "Mendoj se është çështje e domosdoshme që duhet bërë. Jemi vonë me këtë çështje, që duhej bërë 15 vjet më parë. Nuk ka gjë të keqe nëse për këtë do të penalizohen 10-15 deputetë, sepse më në fund do të qetësohen shpirtrat, do të dinë edhe njerëzit se kush është pjesë e politikës së pastër, njerëzit do të dinë për kë po votojnë". Deklarata e ministrit Xhuveli erdhi menjëherë pas qëndrimit të demokratëve për hapjen e dosjeve. Duke mbajtur të njëjtin qëndrim me demokratët, Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste shprehu hapur pozicionimin e tij në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Sipas tij, PAA-ja do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›