Mitingu i 30 prillit si biznes

Caktohen njerëzit që do të mbledhin fondet dhe do të mbajnë përqindjet. Ngjela merr pjesët e luanit, dhe deklaron se s’ka lekë për Gjinushin e Milon, ndërkohë që Ndoka vendoset tagrambledhës veç për disa fshatra të Shkodrës. Për të fshehur shpërdorimin, oborrtarët e rinj të Ramës kanë shpallur kuotat e shpërblimeve për ata që thyejnë xhamat e godinave të institucioneve
Afrimi i 30 prillit po zbulon edhe punët e fitimet e pista që po realizohen poshtë të ashtuquajturit synim për të përmbytur bulevardin qendror të Tiranës nga ithtarët e kutizmit. Një numër i fortë donatorësh, kryesisht borxhlinj politikë të Edvinit, të cilët janë deputetë-biznesmenë ose klientë të bashkisë së Tiranës, janë vënë nën detyrimin e grumbullimit të fondeve, të cilat më pas do të menazhohen nga një grup “ekspertësh”, që do të merren direkt me “protestën e 30 prillit”. Dhe njeriu qendror i caktuar prej Ramës për t’u marrë me ndarjen e fondeve është as më pak e as më shumë, por vetë Spartak Ngjela, njeriu i shumënjohur e shumëdiskutuar për marrëdhëniet e tij të vështira e problematike me paratë. Edvini ka vendosur t’i lërë në dorë këtë biznes Spartak Ngjelës, duke ditur jo vetëm problemet e tij të fundit në këtë sektor, por së pari edhe përdorimin që po i bën atij në tubimet e lagjeve anekënd periferive të qyteteve.
Dhe Spartak Ngjela e ka marrë me shumë seriozitet “grumbullimin e fondeve”. Në selinë e Partisë Socialiste këto ditë thuhet thuajse publikisht se “paratë ndahen në shtëpinë e Ngjelës”... Por e vërteta është se në shtëpinë e të rekrutuarit të ri të Edvinit veç mblidhen paratë, dhe për këtë mund të dëshmojnë mjaft prej deputetëve-biznesmenë apo klientëve të bashkisë së Tiranës. Por grumbullimi i parave veç në një dorë shpërdoruese, si ajo e Spartak Ngjelës po nxjerr mbi ujë edhe krizat e protestës së 30 prillit si një biznes i majmë e fitimprurës. Kështu janë nxjerrë nga tepsia e përfitimeve Skënder Gjinushi e Paskal Milo, meqenëse ujqërit e rinj financiarë që janë pranë Edi Ramës, kanë deklaruar se “s’ka më lekë për këta të dështuar politikë”. Situata e tagrambledhësit nuk është shumë e favorshme as për Nard Ndokën, të cilit i është lënë dorë e lirë veç për disa fshatra në qarkun e Shkodrës.
Grumbullimi i parave veç në dorën e Spartak Ngjelës ka detyruar protagonistët që këtë shpërdorim ta mbulojnë me një palo-plan, i cili zbret deri tek niveli i shpërblimeve për ata që kontribuojnë në thyerjen e xhamave të institucioneve dhe rritet pazari për ata që guxojnë që sakrilegjin ta konsumojnë edhe në xhamat e kryeministrisë.
Shndërrimi i 30 prillit si një biznes fitimprurës për të ardhurit e rinj në oborrin e Edi Ramës veç sa shton garancitë se shumë pak njerëz do të jenë atë ditë në bulevard, pasi jo vetëm thirrja s’ngërthen në vetvete asnjë kauzë, por edhe se tagrambledhësit e rinj të Edvinit janë edhe shpërdoruesit më të mëdhenj të përqindjeve që mblidhen nga deputetët-biznesmenë dhe klientët e bashkisë së Tiranës.