E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KiE-s, koherent, PS t’i drejtohet Venecias nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri Sali Berisha përshëndet qëndrimin e Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare

Kryeministri Sali Berisha deklaron edhe njëherë se zgjidhja e ngërçit politik mund të vijë vetëm duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e vendit në fuqi. Kreu i ekzekutivit komentoi dje rreth situatës politike, pas vizitës së zhvilluar në promovimin e ekspozitës kushtuar botuesit Ismail Mal’ Osmani, në Bibliotekën Kombëtare,
“Unë mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore. Në qoftë se ndahemi nga inatet, ekziston çdo mundësi ligjore për të zgjidhur tërësisht dhe për të bërë një transparencë të plotë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. E kam theksuar dhe e theksoj edhe një herë se në Shqipëri, falë shtetit ligjor, nuk ekziston qoftë dhe një dokument i vetëm që nuk mund të deklasifikohet, pra, i cili nuk ka procedurë se si mund të bëhet publik. Ky është vend i shtetit ligjor”, u shpreh kryeministri, duke komentuar edhe raportin e byrosë së Asamblesë Parlamentare e KiE-së.
Sipas tij, mazhoranca është e gatshme për transparencë të plotë të zgjedhjeve por kjo duhet të bëhet në bazë të ligjeve dhe kushtetutës së vendit.
Ndërkohë Berisha duke iu referuar edhe raportit të byrosë së Asamblesë Parlamentare e KiE-së theksoi se ky raport ishte koherent me deklaratën e Komitetit Presidencial gjatë vizitës në Tiranë.
“Unë mendoj se këtu ka një qëndrim tërësisht koherent. Komiteti Presidencial e bëri këtë propozim në zyrën e Presidentit të Republikës dhe aty u ra dakord që Partia Socialist të mund t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe ajo, në qoftë se e gjykon, mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Kjo është një praktikë për të cilën kemi qenë, jemi dhe mbetemi dakord. Natyrisht, kjo në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Opozita është e lirë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias”, theksoi më tej Berisha.
Ndërkohë në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese Kryeministri Berisha theksoi se pret që presidenti Topi të paraqesë dekretimin e kandidatëve pasi është atribut tij dhe më pas parlamenti do t’i shqyrtojë duke përdorur një procedurë sa më transparente.
“Dekretimi i kandidatëve për në Gjykatën e Lartë është atribut tërësor i Presidentit të Republikës. Parlamenti, në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës, ka tagrin e shqyrtimit të tyre. Ka vendosur procedurën e hearing dhe ka një disponibilitet për një procedurë sa më transparente. Unë mendoj se, jashtë kurioziteteve të tepruara, jashtë paragjykimeve, në Shqipëri është në konsolidim e sipër tradita më e mirë e emërimit të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Presidenti ka hapur një procedurë, ka thirrur një komision, ka marrë një numër kandidaturash dhe kjo është gjëja më normale. Parlamenti ka përshtatur ligjin me një hearing. Unë mendoj se këto janë procedurat më moderne. Natyrisht, unë nuk them se këto janë tërësisht pa asnjë problem, por e vërteta është që të gjitha të tjerat kanë më shumë probleme sesa këto”- deklaroi më tej, kreu i qeverisë, Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›