E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Sejdiu sqaron pozicionin e pakicave malazeze në Kosovë



Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç, bëri të ditur se ekzistojnë dy çështje të mbetura pezull me Kosovën, siç është trajtimi i pakicës malazeze në Kosovë dhe pranimi i të shpërngulurve nga Kosova. “Trajtimi i pakicës malazeze në Kosovë, e cila nuk ka një trajtim normativ të pakicës dhe që nuk është në vendimin kuvendor të Kosovës, që siguron përfaqësimin autentik për pakicat e Kosovës. Sipas këtij vendimi, bashkësia serbe së paku ka dhjetë deputetë, kombësia turke dy, romët, ashkalitë dhe egjiptianët nga një, ndërsa pakica malazeze nuk e ka përfaqësuesin e vet; pra nuk ka trajtimin e pakicës kombëtare, por ne mendojmë se edhe kjo çështje do të zgjidhet”, - është shprehur Vujanoviç.
Presidenti Sejdiu bëri të ditur se pakicat malazeze në Kosovë do të trajtohen si çdo qytetar tjetër i Kosovës. “Ne kemi një prani të tyre dhe natyrisht, do të japim të gjitha garancitë e mundshme në trajtimin e tyre, si çdo qytetar i Kosovës. Unë kam bërë një hap të rëndësishëm se e kam inkuadruar jashtë vizionit të projektit ‘Ahtisari’ në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve përfaqësuesin e malazezëve. Ky është një trup shumë e rëndësishme, që adreson shqetësimet e qytetarëve. Ne kemi një komunikim të shkëlqyer me ta. Besoj se në proceset e vazhdueshme do të kemi hapa të tjerë”, - është shprehur Sejdiu. Ndërsa përsa i përket çështjes së pranimit të shpërngulurve nga Kosova, Sejdiu tha se gjatë takimit me Entin i Refugjatëve ka marrë një listë me 300 familje të shpërngulura, me 1223 persona dhe që janë të gatshëm për kthim. “Qeveria ka bërë një plan të kthimit, ka detyruar një nga ministrat që të udhëheqë programin e rikthimit, ka siguruar buxhetin prej 4-5 milionë eurosh dhe deri tani ka investuar në infrastrukturën rrugore dhe në rrjetin energjetik dhe të krijojë kushtet për rikthim”, - ka sqaruar Sejdiu.

Ivanov dhe Vujanoviç garantojnë praninë e Kosovës në tryezat rajonale

Dy presidentët, Ivanov dhe Vujanoviç, kanë dhënë garanci dje se Kosova do të jetë e pranishme në çdo tryezë rajonale që do të organizohet prej tyre, pavarësisht pjesëmarrjes ose jo të presidentit serb, Tadiç. “Ne i shprehim një mirënjohje të madhe presidentit Topi për organizimin e një takimi të tillë me fqinjët e tij dhe ky është një gjest pozitiv dhe një gjest që pritet nga të gjithë ne në të ardhmen. Maqedonia është e gatshme gjithashtu që të organizojë një takim të tillë ku do të ftojë zotin Topi, zotin Sejdiu, zotin Vujanoviç dhe zotin Tadiç gjithashtu”, - është shprehur Presidenti i Maqedonisë, Ivanov. “Gjithashtu, dëshiroj të tregoj respekt ndaj vlerësimit të presidentit Sejdiu që Mali i Zi, vendimin për njohjen, e ka marrë në kohën kur kjo kishte një peshë të veçantë. Janë për t’u vlerësuar marrëdhëniet tona të brendshme, kur kemi dhe nevojën që të sigurojmë komunikimin e mirë të qytetarëve dhe bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. Gjithashtu, respektoj mendimin që ka shprehur presidenti Sejdiu, gatishmërinë për shkëmbimin e ambasadorëve dhe mirëkuptimin e tij si qytetari i parë i Kosovës dhe duhet të përdorim në mënyrën më të mirë arsyen për një vlerësim cilësor kur duhet të bëhet shkëmbimi i ambasadorëve”, - është shprehur Presidenti i Malit të Zi, Vujanoviç. Të dy presidentët kanë garantuar ecurinë normale të procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e pavarur të Kosovës.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›