E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mos kini frikë të votoni

 

Partia Socialiste zhvilloi dje mitingun përmbyllës në qytetin e Elbasanit. Kryetari socialist, Edi Rama gjatë fjalës së tij në këtë miting përsëriti premtimin se do të ngrejë padi penale për gjithë ata drejtues aktualë, që do të bëjnë presion mbi administratën publike. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje se kryetari i PASOK Jorgo Papandreu do të jetë sot i pranishëm në një takim që kryetari socialist Edi Rama do të zhvillojë në “Hotel Tirana” me kandidatët dhe simpatizantët socialistë për të dhënë mesazhet e fundit elektorale para mitingut përmbyllës dhe nisjes së heshtjes elektorale. Papandreu ka qenë i pranishëm në kongresin e socialistëve dy vjet më parë para zgjedhjeve vendore, ku ka ‘pagëzuar’ bashkimin e partive të majta, të cilat sot në këto zgjedhje gjenden të ndara. Dje nga Elbasani, Edi Rama u kërkoi qytetarëve të mos kenë frikë nga presionet për të votuar Partinë Socialiste. “Nga ky bulevard madhështor dhe i ri, i ëndrrave dhe i shpresave të gjithë qytetarëve të Elbasanit i paralajmëroj të gjithë ata drejtorë, shefa që me shkopin e flamurit të Partisë Demokratike kërkojnë të marrin votat me dhunë se nuk duhet t’i shkojnë ndërmend të prekin me dorë votën e qytetarëve, që meritojnë një Shqipëri më të mirë, ku shteti është i të gjithëve dhe jo i një grushti qeveritarësh”, tha Rama. Kreu socialist paralajmëroi se do të ndiqen penalisht ata që do bëjnë presion mbi votën. “Unë i siguroj të gjithë ato që nuk do të ndalin dorën dhe gojën duke bërë presion tek njerëzit, se ne do t’i mbledhim të gjitha dëshmitë e njerëzve dhe do t’i kthejmë në akuza penale ndaj atyre, që do të guxojnë të bëjnë atë që janë duke bërë deri tani”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›