E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mitmarrja 20 mijë lekëshe,pranga kreut të qarkullimit

24/03/2005  KUÇOVË/ Denoncoi qytetari, SHKB arreston në flagrancë oficerin e policisë Muhamet Pone

KUÇOVË – Shefi i qarkullimit rrugor në komisariatin e Policisë së Kuçovës, është prangosur nga kolegët e tij dje, në sy të dëshmitarëve të shumtë, në ambientet e një lokali në këtë qytet. Pas denoncimit të një qytetari dhe kombinacionit të oficerëve të SHKB, u arrestua në flagrancë Muhamet Pone, drejtuesi i lartë i policisë, të cilit iu gjetën në xhep 20 mijë lekë (të vjetra) të bakshishit), ndërsa më pas u dërgua në dhomat e izolimit.

Kurthi

Ngjarja, për të cilën shefi i qarkullimit të Kuçovës u prangos, e ka zanafillën tri net më parë.

Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se drejtuesi i lartë i qarkullimit rrugor kthehej nga fshati i Kozares dhe rrugës kishte ndeshur një autoveturë tip “Benz”. Muhamet Pone e ka ndaluar këtë autoveturë dhe i ka kërkuar drejtuesit të saj dokumentet. Pas kontrollit, makina ka rezultuat me shkelje, sepse pronari i saj nuk përputhej me identitetin e drejtuesit. Për këtë shkelje të rregullores edhe pse drejtuesi i “Benzit”, SH.M. i ka treguar se, makinën e ka blerë nga një punonjës policie dhe se ditën tjetër do t’i bënin dokumentet te noteri, shefi ka arritur t’i marrë vetëm dokumentet dhe ta lejoj drejtuesin e mjetin të largohet së bashku me mjetin e tij. Më pas duket se blerësi i ri, pasi i ka gjetur numrin e telefonit ka komunikuar me shefin e qarkullimit dhe takimin e kanë lënë në paraditen e ditës së djeshme në një lokal në qendër të qytetit. Sipas po të njëjtave burime, sapo shefi i qarkullimit ka mbërritur në lokalin, ku ishte lënë takimi për të biseduar, pas tij ka shkuar edhe “viktima” (drejtuesi i mjetit SH.M.). Pas bisedës disa minutëshe, shefi i qarkullimit ka pranuar këmbimin e dokumenteve me shumën e lekëve...

Arrestimi

Ishte momenti kur shefi është ngritur për të dalë nga lokali, kur në derën e saj janë paraqitur disa pononjës policie, madje dhe nga SHKB-ja e Tiranës. Në moment, shefit, pasi e kanë pyetur për sasinë e lekëve që kishte në xhepat e tij, i bënë kontroll të menjëhershëm. Mes sasisë së lekëve, oficerit iu gjetën edhe 20 mijë lekët e koduara ndoshta nga policia me numrin e serisë të fabrikës. Pas këtij verifikimi, pononjësit blu i kanë vendosur prangat në flagrancë kreut të qarkullimit rrugor dhe e kanë shoqëruar për në dhomat e paraburgimit të komisariatit. Më pas i arrestuari është përcjell për në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë të Policisë të Qarkut. Çështja i ka kaluar organit të prokurorisë për të vazhduar hetimet e mëtejshme për të zbardhur të vërtetën.

Sipas burimeve të policisë, shefi i korruptuar ka konsumuar veprën penale të mitmarrjes dhe akuzohet për këtë vepër nga neni 260 i Kodit Penal.

Muhamet Pone, 12 vjet karrierë në polici

Muhamet Pone, 47 vjeç, banor i lagjes 13, të qytetit të Durrësit ka 12 vjet punë në Policinë e Shtetit. Më parë ishte me detyrë inspektor qarkullimi në komisariatin e Kavajës. Prej 7 muajsh ndodhej me detyrë në policinë e qarkullimit në Kuçovë dhe prej tre muajsh në detyrën e shefit në këtë sektor. Sipas burimeve nga ky komisariat, Pones i është dhënë disa herë vërejtje për punë të dobët dhe në përzierje të veprimeve të tilla, por që, sipas burimit, kanë ngelur në kuadrin e tentativës.

Dy vjet më parë, paraardhësi të njëjtin fat

Ky është i dyti rast që ndodh në këtë komisariat që duket se veprimet negative të shefave të policisë nuk i durojnë dot banorët e këtij rrethi, ndaj dhe kanë paditur këto veprime, duke zënë shefat e korruptuar në grackën e SHKB-së. Rasti i parë ka ndodhur rreth dy vjet më parë, ku një tjetër shef qarkullimi, i quajtur Shkëlqim Brushulli, përfundoi në burg për një veprim të tillë. Për të tashmë është vendosur dënimi me burg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›