E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në shitje miliona litra ujë në vit

24/03/2005  Dita e Ujit. Në Shqipëri uji i shtrenjtë sa qumështi

Jo pak, por në Shqipëri shiten mbi 20 milionë litra ujë mineral në vit.

Në Ditën Botërore të Ujit, Instituti i Statistikave bën publike disa të dhëna për sa i përket situatës ujore në Shqipëri. Sipas INSTAT, në vitin 2003, janë prodhuar 21 milionë litra ujë mineral për shitje, prej të cilit është shitur një sasi prej 21 milionë litra. Prodhimi i ujit të gazuar për shitje në vitin 2003 ka arritur shifrën 26 milionë litra dhe sasia e shitur prej tij në këtë vit ka qenë 25 milionë litra. Sipas informacionit të marrë prej Ministrisë së Rregullimit të Territorit për vitin 2003, janë shpërndarë ne rrjetin e ujësjellësit 83 milionë m3 ujë me vlerë 2,745 milionë lekë. Ndërkohë që në INSTAT janë ende duke u përpunuar të dhënat për situatën hidrike në vendin tonë për vitin 2004.

Vetëm kryeqyteti ka tre tregje. Se pari, tregu privat i ujit mineral. Në Tiranë qarkullojnë disa marka me ujë mineral të prodhuar në vend. Ka dhe ujë të ambalazhuar që importohet kryesisht nga Italia dhe Greqia. Ky treg e ka zanafillën nga dita kur u bë liberalizimi i çmimit të ujit mineral në vitin 1992. Një litër ujë kushton 50 lekë, gati gati sa një litër qumësht, kur e blen në rrjetin e tregtisë. Por mund ta shijosh edhe me çëmim të kripur kur ta servirin në tavolinat e bar-restoranteve. Me një çmim të tillë, biznesmenët fitojnë më shumë sesa shpenzojnë për të importuar. Ose me fitimet nga shitja, sigurojnë fonde për të shlyer investimet në ngritjen e linjave pranë burimeve të ujit mineral.

Së dyti, është tregu i rezervuareve mbi taraca dhe në bodrumet e pallateve. Sipas ekspertëve, për këtë treg, qytetarët kanë shpenzuar 30-35 milionë dollarë. Ky është një paradoks që nuk kërkon shpjegim.

Së treti, është tregu i këputur i ujit që na vjen me anë të tubacioneve krejtësisht të amortizuara, që në shumicën e rasteve nuk pihet. Për shkak të mungesës së investimeve, që në fillim puset e ujit, ku janë ngritur pompat që furnizojnë qytetin, janë shpuar shumë cekët, deri në 200 metra thellësi, gjë që bënë që uji ynë të jetë gëlqeror. Ky ujë nuk është i rekomandueshëm për fëmijët. Ndërkohë, mjekëve nuk iu duket aspak çudi që gjithë shqiptarët vujnë nga kripërat dhe rërërat në veshka. Ndërsa vet ndërmarrja ka një lloj ndërvarësie të dyfishtë, varet dhe nga Bashkia dhe nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa së fundi po kalon vetëm në varësi të Bashkisë. Megjithë shumësinë e varësisë nuk ka patur ndonjë investim serioz në rrjetin e ujit. Së fundi, shqiptarët kanë marrë dhe një lajm, uji nuk do të paguhet më për frymë, por do të paguhet me çmim për litër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›