E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si mund të blejmë vetë bono thesari

24/03/2005  Individët mund të paraqiten në sportelet e Bankës së Shqipërisë dhe të kërkojnë të marrin pjesë në ankand

Bonot e thesarit janë letrat me vlerë që qeveria i hedh në tregun financiar, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Sa herë qeveria ka nevojë për para, pret këto letra me vlerë, që quhen bono thesari dhe i shet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Eshtë ankandi ai që vendos normën e interesit dhe vlerën e bonove të thesarit. Në një ankand, blerësit më të mëdhenj janë bankat e nivelit të dytë, që kryejnë transaksione në vlera të larta bankare, duke patur dhe shumë kapital në dispozicion. Por ligji parashikon që dhe individët mund të blejnë bono thesari, duke investuar në këtë formë paratë e tyre. Me fjalë të tjera, kushdo që është i interesuar mund të paraqitet në sportelet e Bankës së Shqipërisë dhe të kërkojë të blejë bono thesari me afat nga 3 muaj deri në një vit. Në rast se ke, për shembull, 10 milionë lekë, depoziton kërkesën në fillim të javës për të blerë bono me maturim 1-vjeçar. Pasi zhvillohet ankandi, mësohet se sa është vendosur përqindja e interesit, që në rastin e fundit për bono me maturim 1-vjeçar ka qenë 8.18 për qind. Personi i interesuar merr menjëherë interesin e vlerës, duke zbritur vlerën e TVSH–së që i mban banka dhe pas një viti mund të tërheqë shumën e depozituar. Për të kryer këtë lloj transaksioni, personit i nevojiten vetëm shuma e parave që do të investojë dhe një dokument identifikimi.

Bonot, ja pse kanë leverdi individët

Paratë me të cilat nuk mund të hapësh dot një biznes, duke i investuar në formën më të mire, por dhe në mënyrën më të rrezikshme, mund t’i përdorësh për të blerë bono thesari. Nëse me depozitat do të luash me norma të ulëta interesi, që fillojnë me 4 për qind, për të arritur maksimumi deri në 9 për qind, me bonot e thesarit ke shansin të fitosh më shumë dhe në një kohë më të shkurtër. Një depozitë 1-vjetore të ofron deri në 7 për qind interes, ndërkohë që një bono thesari me maturim 1-vjetor të ofron me siguri 8.18 për qind interes, të cilin e merr menjëherë pasi mbyllet ankandi dhe përcaktohet interesi i maturimit. Bonot e thesarit të qeverisë shqiptare janë me afate 3, 6 dhe 12 muaj. Ankandet e këtyre bonove bëhen në mënyrë periodike çdo javë dhe për këto instrumente ekziston edhe një treg sekondar, i përbërë nga banka të nivelit të dytë.

Blerja e bonove të thesarit apo depozitimi në lekë ofrojnë përfitueshmëri më të lartë se sa depozitimi në valutat kryesore, kryesisht euro dhe dollarë. Bonot e thesarit, janë alternativa më e mirë e investimit të parave në lekë. Normat e interesit për depozitat në lekë mbeten akoma më të ulëta se sa normat e interesit për bonot e thesarit. Kështu, normat e interesit për bonot e thesarit 3-mujore, sipas ankandit të fundit, ofruan një normë mesatare të ponderuar prej 5.99 për qind.

Bonot e thesarit

3-mujore 5.9 për qind

6-mujore 7.19 për qind

1-vjetore 8.08 për qind

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›