E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovice, serbet: S' nisim punën pa marrëveshje me EULEX-in

PRISHTINE- Autoritetet serbe në Beograd kanë deklaruar se nuk do të pranojnë fillimin e punës në gjykatën në veri të Kosovës pa nënshkrimin paraprak të një marrëveshjeje dhe protokolli me EULEX-in. Misioni i EULEX-it thotë ndërkaq se, po pret nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dorëzimin e listës me emrat e gjykatësve shqiptarë e serbë që do të shërbejnë në veri. Një zyrtar i lartë serb, Oliver Ivanoviç, tha se për rikthimin e gjykatësve serbë në veri, fillimisht duhet të nënshkruhet një protokoll me EULEX-in. Ai ka kundërshtuar fuqishëm mu-ndësinë që një Këshill Gjyqësor i Kosovës të emërojë gjykatës serbë për veriun. Këshilli Gjyqësor premton se deri në fund të muajit do të japë listën me emrat e gjykatësve shqiptarë e serbë për gjykatën në veri. Janë pakësuar gjasat që gjykata në veri të Kosovës të rifillojë punën, pavarësisht thirrjeve të misionit evropian për drejtësi dhe polici se kjo çështje është e një përparësie të veçantë. Autoritetet në Beograd, së fundi, kanë deklaruar se nuk e njohin një marrëveshje, të cilësuar si gojore, të para dy muajve mes shefit të EULEX-it, Yves de Kermabo, me zyrtarët serbë, për rikthimin e gjashtë gjykatësve, dy shqiptarë, dy serbë dhe dy ndërkombëtarë, në gjykatën në veri. Misioni evropian për drejtësi dhe polici, ndërkaq, thotë se po pret përgjigjen e Këshillit Gjyqësor, pas refuzimit të të njëjtit që të pranojë emërimin e dy gjykatësve serbë, që paraprakisht kanë dhënë betimin para organeve serbe të drejtësisë. Zyrtarë të EULEX-it kanë bërë thirrje që të dyja palët të tregojnë më shumë fleksibilitet dhe pragmatizëm për çështjen që e kanë cilësuar si urgjente, megjithëse nuk kanë përcaktuar afate për listën e gjykatësve në veri. Ndërkohë, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peçi, tha se e ka të gatshme listën me të paktën 11 emra të gjykatësve shqiptarë e serbë për Gjykatën e Qarkut në veri dhe se atë do të mund t'ia paraqesë EULEX-it deri nga fundi i këtij muaji. Këshilli thotë se do të veprojë vetëm me ligjet dhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ide kjo që është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet në Beograd. Këto të fundit kanë kërkuar që fillimisht të zgjidhet çështja e zbatimit të ligjeve dhe autoritetit e përgjegjësisë së gjykatave, e pastaj të ofrohet lista me emrat e gjykatësve.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›