E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, vazhdon gjendja e rënduar

Autori i Lajmit: red.
Pas ngjarjeve të fundit që ndodhën në veri të Kosovës në Mitrovicë, reagon dhe diplomacia evropiane me anë të ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer. Shefi i diplomacisë gjermane tha se Kosovën e pret një rrugë e gjatë deri te arritja e konsolidimit të një shteti të plotë juridik. Ndër të tjera, ai shtoi se "rendi dhe ligji në Kosovë nënkupton më shumë siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në të tërë Evropën". Ndërkohë, disa orë përpara se Shtajnmajer të bënte këtë deklaratë, ka reaguar dhe ish-emisari special i Bashkimit Evropian për Kosovën, ambasadori Uolfgang Petriç. "Tensionet në Mitrovicë do të vazhdojnë gjithnjë, për sa kohë nuk do të ketë një zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës. Mitrovica do të mbetet vatër e krizës për shumë vite të tjera", - u shpreh Petriç në një intervistë dhënë për gazetën çeke "Pravo".
Rasti i fundit
Ndërkohë Mitrovica u trondit nga një incident tjetër të martën në mbrëmje, kur dy makina janë djegur në fshatin Suhadoll të këtij qyteti. Lajmi konfirmohet nga policia. Sipas policisë, përleshja filloi kur një grup të rinjsh serbë u takuan me një grup të rinjsh shqiptarë. Policia nuk mundi të konfirmonte nëse kishte pasur shkëmbim të shtënash mes dy grupeve. Mësohet se dy veturat civile që janë dëmtuar janë njëra pronë e një shtetasi serb dhe tjetra pronë e një shqiptari. Situata është normalizuar pas ndërhyrjes së forcave policore. Në dy javët e fundit situata në Mitrovicë ka qenë mjaft e tensionuar, duke u shoqëruar me protesta të dhunshme dhe përleshje, të cilat kanë shkaktuar disa persona të plagosur si dhe janë dëmtuar mjaft prona private. Dy ditë më parë, Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi zhvilluan një takim me zyrtarët e sigurisë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Presidenca bëri të ditur se autoritetet e Kosovës dhe përfaqësuesit e organizatës ndërkombëtare kanë rënë dakord se do të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të stabiziluar sigurinë në Mitrovicë. “Një veprim i përbashkët i policisë së Kosovës dhe EULEX e KFOR do të ndërmerret për t ju përgjigjur situatës së krijuar”, - thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës. Presidenca çeke dhe Bashkimi Evropian u kërkuan autoriteteve në Kosovë të nisin urgjentisht hetimet në lidhje me incidentet e ndodhura në Mitrovicë. Nëpërmjet një kumtese të shpërndarë dje për median, Presidenca çeke dënoi “fuqishëm dhunën aktuale në veri të Mitrovicës” dhe vlerësoi punën e KFOR dhe EULEX si dhe të policisë kosovare për rikthimin e sigurisë.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›