E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje page për mjekët, 8 mijë lekë në fund të janarit

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Bluzat e bardha do të përfitojnë rritje page në fund të muajit janar. Shtesa e pagës në masën e 8 mijë lekëve të reja u premtua në mbledhjen e qeverisë dy javë më parë. Vendimi i Këshillit të Ministrave, i datës 24 dhjetor 2008, përcakton qartë se punonjësit e Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë do të përfitojnë shtesë page për kushte pune në masën 8.000 lekë, duke filluar nga data 1 janar 2009. Po sipas këtij vendimi, thuhet se këtë shtesë page e përfitojnë edhe mjekët me tituj e grada shkencore, që janë pjesë e këtij shërbimi. Efekti financiar për paga e sigurime shoqërore, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi për shtesën për kushte pune të punonjësve të shërbimit infektiv në QSUT, fillon nga data 1 janar 2009, përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, sipas vendimit të mësipërm, punonjësit me arsim të lartë në sistemin shëndetësor, si dhe punonjësit me arsim të lartë të personelit jomjekësor, përfitojnë shtesë për kualifikimin, gradën apo titullin shkencor. Gjithashtu, punonjësit e personelit mjekësor, përfitojnë shtesën dhe për kualifikimin "Master i nivelit të dytë/studime të thelluara pasuniversitare/studime specializuese afatgjata". "Shtesat për punonjësit e shëndetësisë, për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i vendimit, fillojnë efektin e tyre financiar nga data 1 korrik e vitit të kaluar", përcakton vendimi. Në total bëhet fjalë për 92 punonjës të këtij shërbimi. Nga sa ka përcaktuar qeveria për mjekët, duke nisur që nga shefi i shërbimit e deri te mjekët radiologë, që trajtojnë të sëmurët me HIV/AIDS, shtesa në pagë do të jetë 8 mijë lekë. “Shtesën për kushte pune, në masën 8.000 (tetë mijë) lekë, që përfitojnë punonjësit e shërbimit infektiv në QSUT, e përfitojnë edhe mjekët me tituj e grada shkencore, që janë pjesë e këtij shërbimi, të cilët trajtohen me pagë me vendimin nr.1231, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërsa për personelin e mesëm, ku përfshihen kryeinfermierë shërbimi, kryeinfermierë reparti e infermierët e thjeshtë, shtesa në pagë do të jetë 10 mijë lekë. “Duke qenë se HIV /AIDS konsiderohet një infeksion madhor për nga vdekshmëria e sigurt dhe për nga kompleksiteti i ndërlikimeve që paraqet, kërkohet impenjim i lartë profesional dhe është menduar shtesa duke u bazuar në kushtet e punës”, thuhet në vendim.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›