E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal, gjendet në Kuvend aparati që përgjonte 10 deputetët grevistë

Bllokohet aparati përgjues në sallën e Kuvendit, prokuroria pritet të shkojë në vendngjarje.

Shaban Sulçe

Një skandal i paprecedentë është zbuluar ditën e dytë të grevës së urisë që 10 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë shpallur për mbrojtjen e votës së lirë. Deputetët grevistë të LSI-së dhe të PDK-së e kanë gjetur veten e tyre dje të shtangur teksa kanë parë të instaluar në sallën ku po qëndrojnë një aparat përgjimi, të vendosur posaçërisht për përgjimin e tyre. Deputetët janë përpjekur më pas për ta administruar një provë të tillë, për ta denoncuar atë publikisht, por siç bëhet e ditur, në këtë moment kanë ndodhur edhe disa incidente, pasi punonjësit e Gardës janë urdhëruar që t’ua marrin me forcë aparatin përgjues. Gjithsesi, një gjë e tillë nuk është arritur, dhe aparati përgjues vazhdon të administrohet nga deputetët grevistë. Lajmi është konfirmuar nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili tha se gjatë ditës së djeshme, në sallën ku po qëndrojnë deputetët grevistë është gjendur një aparat përgjues, i vendosur posaçërisht për t’i përgjuar ata. “Tani presim që të vijë Prokuroria”, - tha Braho, ndërkohë që mësohet se është bërë gati kallëzimi penal për sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Ky rast shënon një skandal të vërtetë, pasi ligji ndalon rreptësisht përgjimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Si të mos mjaftonte kjo, gjatë ditës së djeshme deputetëve grevistë u janë vendosur zhurmues në aparatet e tyre celularë, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të komunikojnë me mbështetësit, deputetët solidarizues dhe negociatorët e protestës.

Kallëzimet

Gjetja e aparatit përgjues në sallën e grevës së urisë si dhe incidenti i krijuar nga forcat e Gardës kanë sjellë reagimin mjaft të ashpër të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se LSI-ja ka depozituar në Prokurori kallëzim penal për sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe komandantin e Gardës. Ai shtoi se është njoftuar urgjentisht për atë që po ndodh në sallën e Kuvendit Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeprokurorja Ina Rama dhe përfaqësitë e Trupit Diplomatik në Shqipëri. Vasili gjithashtu i ka bërë thirrje Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të takojë deputetët grevistë.

Kushtet shëndetësore

Shkeljet antikushtetuese dhe të drejtave të njeriut kanë arritur dje kulmin kur deputetëve grevistë u është ndaluar nga forcat e Gardës dhe administrata kuvendore marrja e ndihmës së parë mjekësore. Gjatë paradites së djeshme, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka njoftuar deputetin Dritan Prifti se dy deputetët grevistë, përkatësisht Tola i PDK-së dhe Braho i LSI-së, kanë filluar të shfaqin problemet e para të gjendjes së tyre shëndetësore. Ata kanë pasur luhatje të tensionit, ndërkohë që menjëherë është njoftuar urgjenca për dhënien e ndihmës së parë. Por autoambulanca nuk është lejuar të futet në ambientet e Kuvendit ku po zhvillohet greva. Komandanti i Gardës ka deklaruar se ka urdhër që të mos lejojë askënd për t’u futur në Kuvend. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
Dje, rreth orës 18:00, deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i cili është në rolin e zëdhënësit të grevës së urisë, deklaroi se në ambientet e Kuvendit, ku po zhvillohet greva, mungon edhe uji i pijshëm.

Deputetët

Me grevën e urisë së 10 deputetëve të LSI-së dhe të PDK-së janë solidarizuar edhe deputetë të tjerë, jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta. Kështu, greva e deputetëve është mbështetur nga Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli (ish-deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së), Luan Memushi (deputet i PS-së), Jak Ndokaj (deputet i PDK-së) dhe Dritan Prifti (deputet i LSI-së). Gjatë paradites së djeshme, deputetët mbështetës kanë dashur të hyjnë në ambientet e Kuvendit për të takuar kolegët e tyre grevistë, por ata janë penguar forcërisht nga forcat e policisë dhe të Gardës. Incidenti është krijuar në momentin kur brenda Kuvendit ka dashur të hyjë zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti dhe demokristiani Jak Ndokaj, të cilët janë penguar forcërisht. Kjo është cilësuar si një shkelje e rëndë e Kushtetutës, pasi deputeti nuk mund të pengohet të hyjë në sallën e Kuvendit, aq më tepër forcërisht. “Ne nuk i detyrojmë dot Berishën dhe Ramën që të bëhen demokratë. Ata janë diktatorë të paskrupullt”, - u shpreh Prifti. Më pas deputetët janë bashkuar me qindra protestues, të cilët gjenden përpara selisë së Kuvendit që nga ora e futjes së deputetëve në grevë.

Incidentet e ndodhura në grevën e urisë

Është gjetur një aparat përgjimi i vendosur posaçërisht për të përgjuar deputetët grevistë

Aparateve celularë të deputetëve u janë vendosur zhurmues, në mënyrë që t’u pengojnë komunikimin

Media nuk po lejohet të ndjekë nga afër zhvillimet e grevës së urisë

Deputetë që mbështesin grevën e urisë nuk janë lejuar të futen në ambientet e Kuvendit

Deputetëve grevistë u është mohuar dhënia e ndihmës mjekësore

Për grevistët mungon uji i pijshëm dhe sistemi i ngrohjes është fikur me urdhër

Deputetët grevistë

1-Ilir Meta LSI
2-Pëllumb Xhufi LSI
3-Ndre Legisi LSI
4-Spartak Braho LSI
5-Nikollaq Neranxi LSI
6-Petro Koçi PS 91
7-Nard Ndoka PDK
8-Ndue Shpani PDK
9-Ymer Tola PDK
10-Frrok Gjini PDK

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›