E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mjaft” debat mbi kazinot, fton Nanon e Malaj

13/03/2005  Lëvizja MJAFT ka organizuar dje një kampionat debati me të rinj, nxënës nga shumë shkolla të mesme të kryeqytetit, rreth temës së hapjes së një kazinoje në Tiranë, ndërsa sot do të bëjë një debat me banorët e “Shallvareve”, ku ka ftuar ministrin e Financave, Arben Malaj dhe Kryeministrin Fatos Nano, si banorë i zonës. Kampionati është zhvilluar në ambientet e shkollës së mesme teknike Harry Fultz, me dashamirësinë dhe interesimin e autoriteteve të kësaj shkolle si dhe nën kujdesin e Organizatës Kombëtare të Debatit. MJAFT ka kërkuar që procesi i dhënies së lejeve për kazinotë në Shqipëri të ndalet derisa të ketë një imazh të qartë rreth dëshirës së vetë qytetarëve për këto megabiznese që cënojnë direkt interesat e tyre. Sipas propozimeve të hedhura deri tani për diskutim, MJAFT do t’u kërkojë autoriteteve që thirrja e votuesve në zgjedhjet e afërta parlamentare, të shfrytëzohet për të marrë opinionin e tyre në nivel lokal edhe për çështje që lidhen me jetën e tyre në komunitet, si hapja e kazinove, ndërtimi i impianteve të mbeturinave, apo ndonjë çështje tjetër. Ndërkohë, kampionatet e debatit do të vazhdojnë edhe në shtresa të tjera të popullsisë. Sot, lëvizja MJAFT do të zhvillojë një debat me banorë të komunitetit të zonës së “Shallvareve” në Tiranë, ku i është dërguar një ftesë speciale ministrit të Financave, Arben Malaj. Ftesa u janë dërguar të gjithë banorëve të asaj zone të kryeqytetit, pranë së cilës mendohet të ndërtohet kazinoja, përfshi këtu edhe Kryeministrit Fatos Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›