Mjalinda Bregu: Kryetari i pallatit te ëndrrave s’e ka kuptuar ritmin i integrimit te vendit
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, tha të enjten në Kuvend se progresi i Shqipërisë në të gjitha fushat, i pasqyruar në raportin vjetor të BE-së, nuk mund të zbehet nga deklaratat e opozitës. Këtë deklaratë Bregu e bëri gjatë debatit të lirë në Parlament, i cili u fokusua rreth progres raportin e KE-së për Shqipërinë në vitin 2008. Ministrja Bregu akuzoi deputetët e majtë për këndvështrimin e tyre kritik ndaj qëndrimeve të BE-së për Shqipërinë.
"Në vend të thoshit një fjalë të mirë për progresin e Shqipërisë drejt BE-së dhe jo për progresin e PD-së, u munduat ta nxini atë që paraqitet në Raport", tha ministrja Bregu.
Duke iu referua dokumenteve analoge të BE-së për Shqipërinë në periudhën e qeverisjes socialiste në vitet 2004 e 2005, dhe të qeverisjes aktuale demokratike referuar raportit më të fundit 2008, Bregu vuri në dukje dallimet mes tyre.
"Krahasuar me raportin e Progresit të BE-së gjatë vitit 2004, perceptimi i korrupsionit për vitin 2008 është i përmirësuar. Korrupsioni mbetet një problem serioz dhe ne nuk e kemi mohuar këtë. Por, tashmë kemi miratuar një strategji sektoriale, po zbatojmë ligjin 'për konfliktin e interesave', duke e vendosur në këtë mënyrë çështjen e korrupsionit një prioritet madhor tonin", tha ministrja e Integrimit.
Duke cituar raportin Bregu tha se "vlerësime për qeverinë ka pasur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin mes institucioneve. Megjithë hapat pozitivë, drejtësia është sektori të cilit i janë adresuar kritika, duke i tërhequr vëmendjen për mungesë transparence. Raporti mbron punën e qeverisë për 500 milion kursimet nga prokurimet publike, për përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit, rritjen e të ardhurave mesatare për frymë, rënien e numrit të të papunëve, etj".
Sipas Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu raporti citon se “Probleme të konsiderueshme mbeten lëshimi i lejeve të ndërtimit të cilat kanë njohur një rënie të fortë prej 40 për qind në vitin 2007. Nuk po them që ky është faji i opozitës, por është ama tipari identifikues i kryetarit të pallatit të ëndrrave” duke akuzuar kështu Kryetarin e Bashkisë Edi Rama për problemet me lejet e ndërtimit.
Duke vijuar më tej Bregu nënvizoi se “Në dallim nga ju, ne themi se koston e 40 për qind më pak të lejeve të ndërtimit e mban Shqipëria dhe jo PS-ja. Pavarësisht se kryetari i pallatit të ëndrrave kujton se PS-ja është vetë ai dhe se i takon të jetë e tij edhe kur s’ka kontribut në të, me të njëjtën logjikë që përdor me 15 për qind që kërkon tek çdo leje që lëshon. Pretendon një gjë që s’është e tij”.
Duke e cilësuar Ramën si përgjegjësin kryesor të bllokimit të lejeve të ndërtimit, Bregu renditi një sërë projektesh të financuara nga BE dhe të bllokuara nga Kryetari i Bashkisë, “Më lejoni të rendis këtu vetëm disa nga projektet e financuara me fonde të BE-së dhe të bllokuara nga mos dhënia e lejes së ndërtimit: 400 mijë euro, faza e parë për konstruksionin dhe rinovimin e akademisë së policisë së shtetit, cards 2004, leje e ndërtimit për të cilën duhej të ishte dhënë brenda datës 31 tetor. Faza e dytë 805894 euro leja e ndërtimit duhej të ishte dhënë. Shkollat për arsimin profesional- janë zgjidhur problemet për lejet e ndërtimit në Elbasan, Vlorë e Korçë. Por është bllokuar dhe ka mbetur pa asnjë zgjidhje ndërtimi i shkollës në Tiranë, ç’ka mund të sjellë bllokimin e kontratave edhe për tre shkollat sipërpërmendura. Faza e dytë e punimeve për rikonstruktimi dhe rinovimi i Flotës detare në Durrës është anuluar për shkak të mungesë së lejes së ndërtimit. Pra janë humbur plot 400 mijë euro”.
Sipas Bregut “Kryetari i pallatit te ëndrrave se ka kuptuar akoma se ritmi i integrimit te vendit nuk ndjek tik- takun e orës se tij” përfundoi fjalën e saj në Parlament, Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu.
...