E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjallby s’ka para për Fejzullahun

Mjallby dëshiron ta blejë përfundimisht Erton Fejzullahun, pasi e mbajti hua sezonin e kaluar. Mirëpo, kërkesa e lartë e NEC Nijmegenit, që e posedon kartonin e futbollistit, mund ta pengojë arritjen e marrëveshjes. Futbollisti kosovar e ka përjashtuar mundësinë të shkojë në një klub tjetër të ligës suedeze, kështu që ai është i vendosur për Mjallbyn.

“Nuk kemi fonde të mjaftueshme sa kërkon sot NEC Nijmegen. Por, ne e kuptojmë këtë klub”, ka deklaruar drejtori sportiv i Mjallbyt, Thomas Andersson-Borstam, për të përditshmen suedeze Kristianstadsbladet. - “Kemi ende kohë edhe dy javë, por natyrisht koha po ecën shpejt. Në këtë moment po punojmë për ta gjetur një zgjidhje”, vazhdoi ai.

NEC kërkon rreth 400 mijë euro për Fejzullahun, ndërsa problemi tjetër është se Mjallby, nëse e blen, duhet ta paguajë vetë rrogën e futbollistit, ndryshe nga sezoni i shkuar, kur për këtë punë ishte përkujdesur edhe klubi holandez. Mjallby e sheh Ertonin si një mundësi të mirë që në të ardhmen të nxjerrë pare nga ai.

“Ne mund ta marrim Ertonin, sepse në të ardhmen ai mund ta zgjedhë një klub më të madh se që kishte luajtur deri tash”, përfundoi Andersson-Borstam.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›