E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrati e Hasani përforcojnë Hajvalinë

Anëtari i ri i Superligës, Hajvalia po vazhdon të përforcohet me futbollistë për edicionin e ri, i cili fillon më 18 gusht. Kjo skuadër të mërkurën e ka zyrtarizuar transferimin e njërit prej futbollistëve më të mirë të Dritës, Armend Kastrati.

“Armend Kastrati është përforcimi i ri i yni, i cili të enjten do t’i bashkohet ekipit tonë në përgatitje”, tha trajneri i Hajvalisë, Emin Bajrami.

Kastrati iu bashkua Hajvalisë pas Faruk Statovcit, Ilir Avdylit e Lorik Maxhunit. Por, kjo skuadër nuk do të ndalet me kaq. Hajvalia shumë shpejt pritet ta zyrtarizojë edhe transferimin e qendërmbrojtësit të njohur Fidan Hasani, i cili përfundimisht ka vendosur të ndahet me Hysin.

“Jemi në bisedime edhe me Fidan Hasanin. Edhe ai, sipas të gjitha gjasave, do të angazhohet në skuadrën tonë, sepse parimisht veç kemi arritur marrëveshje me të”, shtoi ai.

Përndryshe, dukej se Hasani ishte shumë afër që ta veshte fanellën e Dritës, por në çastet e fundit Hajvalia ia ka dalë t’ia ndërrojë mendjen ish kapitenit të Flamurtarit.

“Me Dritën nuk kam arritur ndonjë marrëveshje, mirëpo parimisht thuajse jam bërë lojtar i Hajvalisë dhe shpejt pritet të nënshkruajmë kontratë”, tha Hasani për Express.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›