E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat, 1 në 4 shqiptarë vuan nga depresioni

 

zirina llambro

Rreth 1 në 4 shqiptarë të paktën një herë gjatë jetës së tyre kalojnë probleme të depresionit mendor. Stresi, vështirësitë eko-nomike, por edhe frustrimi nga prindërit apo shoqëria mbeten sipas specialistëve shkaqet kryesore. Nga të dhënat rezulton se  20% e adoleshentëve, nën moshën 18 vjeçare, vuajnë nga probleme të zhvillimit ose sjelljes dhe 1 në 8 ka një sëmundje mendore. Shkalla e depresionit rritet me kalimin e moshës dhe prek 1/3 e popullatës mbi 50 vjeç. Dje në konferencën kombëtare “Shëndeti mendor në Kujdesin Parësor” të gjithë aktorët e shëndetësisë diskutuan mbi sfidat e nevojshme në reduktimin e këtij fenomeni. Numri i personave me probleme të shëndetit mendor në vendin tonë ka ardhur duke u rritur dhe shpesh herë personat e prekur  shfaqen agresivë, duke shkaktuar edhe vrasje apo dëmtuar persona të tjerë. Të pasurit e një kartele për probleme mendore i shpëton ata dhe nga dënimi duke u berë pjesë kërcënuese për shoqërinë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në konferencë deklaroi se do të hapet një spital i veçantë për të gjithë të dënuarit me probleme mendore “Do të ngremë një spital të veçantë për personat me probleme me rrezikshmëri, ku nuk do të trajtohen si të dënuar, po si persona që vuajnë nga sëmundjet”, tha Vasili. Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë është e vendosur të vazhdojë në rrugën e reformave dhe të konkretizojmë Planin e Veprimit për Zhvillim e Shërbimeve të Shëndetit Mendor në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me OBSH, si edhe nga agjenci dhe iniciativa të tjera ndërkombëtare. “Janë bërë përpjekje të vazhdueshme me qëllim që të funksionojë një sistem gjithëpërfshirës i shëndetit mendor, i cili u hap rrugën proceseve të riintegrimit dhe risocializimit në komunitet të personave, që vuajnë nga sëmundjet mendore”, theksoi ministri. Por një studim i bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shëndetin mendor në Shqipëri, nxjerr si shqetësim paragjykimin ndaj këtyre personave nga shoqëria, shpeshherë duke u mohuar edhe të drejtat e tyre. “Kemi nevojë për më shumë mbështetje ndaj kësaj kategorie. Ka perceptime të gabuara të popullatës ndaj personave me probleme mendore, duke kërkuar që atyre t’iu hiqen disa të drejta, si p.sh., ajo e votës”, tha  Ledia Lazëri, përfaqësuese e Zyrës së Shëndetit Mendor, pranë OBSH-së. Ndërkaq  probleme të kësaj natyre nuk mbeten vetëm në fazën e depresionit të lehtë. Nga të dhënat e ISKSH-së nga 30 kode diagnozash për këtë sëmundje, 82% e zënë vetëm 3 të tilla psikoza skizofrenike, gjendja depresive dhe psikoza aktive. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Elvana Hana, sqaroi se numri i barnave të rimbursueshme për këto kategori të sëmurësh është shtuar. “Në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2009, gjithsej 68 barna të rimbursueshme me një peshe specifike në listën e rimbursimit 12.2% ndaj totalit të shpenzimeve të rimbursimit. Vetëm këtë vit janë shtuar 10 barna të reja apo 3 principe aktive të reja në listën e rimbursimit për sëmundjet mendore”, tha Hana. Sipas saj një pikë tjetër që pritet nga profesionistët e shëndetit mendor është përgatitja e udhëzuesve klinikë dhe e protokolleve të mjekimit, për një diagnostikim dhe mjekim sa më racional, si edhe me kosto-efektivitet të pacientit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›