Statusi, përfaqësues të PAK ankohen te Topi
TIRANË- Një përfaqësi e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, të përbërë nga përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve dhe të Para dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë janë pritur sot nga kreu i shtetit, Bamir Topi.
Në takimin mes tyre, ata e njohën Topin me çështjet kryesore që shqetësojnë personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë lidhur me mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të tyre dhe më konkretisht, për sa u përket ndryshimeve më të fundit ligjore mbi statusin e të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve.
Sipas kreut të këshillit, Sinan Tafaj ndryshimet në ligj përkeqësojnë gjendjen e mëparshme të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, duke rritur pasigurinë juridike për të ardhmen e të drejtave të tyre.
Institucionet shtetërore përkatëse duhet të hartojnë një strategji dhe kuadër ligjor të mbështetur në përvojat dhe standardet evropiane, për nevojat më imediate të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të shmangen situata të tilla diskriminimi e pasigurie dhe që kjo strategji të jetë në funksion, në mbrojtje dhe në interes të të drejtave të përfitimeve të personave me aftësi të kufizuara- tha Tafaj.
Topi nga ana e tij, garantoi se do të ndjekë në vijimësi situatën dhe kërkesat e tyre për tu ndierë të barabartë dhe të dobishëm në jetën shoqërore të vendit.
Vetëm rrugët ligjore janë mjetet demokratike për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të drejta dhe kushtetuese- tha Topi, duke vënë në dukje nevojën dhe rëndësinë e rritjes akoma edhe më tepër të ndjeshmërisë shoqërore, por sidomos të ndjeshmërisë së atyre institucioneve që e kanë për detyrë të sigurojnë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare sipas standardeve që garanton një shtet i vërtet demokratik e ligjor.