Mjedisi qeveria vendim per transparence me publikun

Këshilli i Ministrave miratoi sot një tjetër vendim, e konkretisht atë “Për të drejtën e publikut për të patur informacion mjedisor”. Një propozim i tillë erdhi nga Ministri i Mjedisit dhe mori mbështetjen e ekzekutivit shqiptar. Gjithashtu, përmes këtij vendimi i sigurohet publikut shpërndarja në mënyrë sistematike e informacionit mjedisor, vënia e këtij informacioni në dispozicion të tij, si dhe përcakton kushtet dhe mënyrat e duhura për ushtrimin e së drejtës, për të patur informacion mjedisor për shkëmbimin e lirë të opinionit të publikut dhe për pjesëmarrjen efektive të tij në vendimmarrjen mjedisore. Ky vendim synon, gjithashtu, përafrimin e legjislacionit shqiptar në mënyrë të plotë me kuadrin e ligjor Europian dhe përmbushjen në mënyrë specifike të detyrimeve që burojnë nga ratifikimi i Konventës së Aarhusit. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha u la një porosi të veçantë ministrave të kabinetit qeveritar, që çdo projektligj të konsultohet me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.