E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mjekë dhe infermierë shqiptarë drejt Azisë

05/01/2005  U konstitua njësia koordinuese e quajtur “Skuadra Shqipëria”, e cila do të marrë përsipër financimin, organizimin dhe dërgimin në zonën e prekur nga tërmeti vdekjeprurës i Azisë Jugore, një ekip shqiptar mjekësh epidemiologë dhe higjienistë. Midis të pranishmëve kishte përfaqësues nga Presidenca e Shqipërisë, Ministria e Financave, ajo e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë, Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë, komunitetet fetare, organizata të ndryshme joqeveritare si dhe biznesmenë, përfaqësues të medias dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të qenë dhe donatorët kryesorë. “Shqipëria dëshiron të tregojë në këtë mënyrë se, ndryshe nga mënyra sesi stigmatizohet në kronikat kriminale si një vend që eksporton shqetësime, mund të ofrojë shembullin se si një vend i vogël mund të ofrojë zemrën e tij të madhe”, tha Erion Veliaj, drejtor i MJAFT-it dhe një nga iniciatorët e themelimit të “Skuadra Shqipëria”.

Medikamentet

Një sasi medikamentesh do të blihen në varësi të kërkesave që do të bëhen nga autoritetet e krizës në rajonin Banda Aceh të Indonezisë, ku mendohet se do të ushtrojë veprimtarinë e saj “Skuadra Shqipëria”.

Pranë shtabit të “Skuadra Shqipëria” të ngritur në zyrat e MJAFT-it, kanë nisur ndërkohë aplikimet për të gjithë mjekët vullnetarë që dëshirojnë t’i bashkohen “Skuadrës”, si dhe për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e tjerë që kërkojnë të ofrojnë asistencë në koordinimin e punëve të skuadrës brenda vendit.

Mjekët vullnetarë

Organizatorët po kujdesen që “Skuadra Shqipëria” të përfshijë mjekë dhe specialistë vullnetarë, jo vetëm nga brenda kufijve, por edhe nga Kosova, në shenjë uniteti dhe mirënjohjeje për atë që komuniteti ndërkombëtar ka bërë për kombin shqiptar në ditët tona të vështira. Pas kontakteve me autoritetet e krizës në vendet e goditura, nismëtarët thanë se me kalimin e ditëve po shtohet emergjenca dhe nevoja për ndihmë të specializuar mjekësore, pasi rreziku i epidemive dhe sëmundjeve ngjitëse, si pasojë e mosvarrosjes së numrit të madh të viktimave dhe mungesës së ujit të pijshëm, është në rritje. Rreziku i kolerës, tifos si dhe epidemive të tjera, është shumë i afërt. Miliona njerëz mes të mbijetuarve të kësaj tragjedie kanë nevojë edhe për ndihmën më elementare: mjekim për plagët, ujë të pastër për të shuar etjen dhe veshje të thata. Duke u munduar të kurojnë pasojat e këtij shkatërrimi, më shumë se 30 vende të botës dhe miliona njerëz janë solidarizuar nën flamurin e humanizmit në një fushatë globale, kësaj radhe jo për luftë, por për të ndihmuar vendet e martirizuara nga një fatkeqësi që mund t’i ndodhte kujtdo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›