E Diel, 1 Nëntor 2026

Në orën 12.00, tri minuta heshtje

05/01/2005  Sot në orën 12.00 në të gjithë Shqipërinë do të mbahen tri minuta heshtje në përkujtim të viktimave të tsunamit, që ra në vendet aziatike. Qeveria ka kërkuar dje që minutat e heshtjes të mbahen në të gjithë territorin e vendit. Shqipëria dhe pse nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, ka vendosur të ndjekë vendimin e Parlamentit Evropian, që në datën 5 janar të vitit 2005 të mbahen tri minuta heshtje për të kujtuar rreth 146 mijë të vdekur dhe qindra të zhdukur nga tërmeti i tmerrshëm nënujor. Ndërkohë në mbështetje të këtij vendimi, organizata humanitare shqiptare kanë nisur misione të ndihmave në vendet e prekura nga tsunami si dhe kanë hapur llogari bankare në ndihmë të popullsisë së kësaj zone.

"Këshilli i Ministrave, në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit, duke shprehur edhe vullnetin e mbarë popullit shqiptar, si dhe duke u solidarizuar me vendet evropiane dhe të mbarë botës vendosi: Të shpallë ditë zie kombëtare ditën e mërkurë, datë 05.01.2005, në nderim të viktimave të shkaktuara nga tërmeti nënujor në brigjet e Oqeanit Indian në Azinë Juglindore.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar të ngrihet në gjysmështizë", thuhet në vendimin e Qeverisë të marrë dje paradite. Sipas udhëzimeve, në orën 12.00 do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahen 3 minuta heshtje në nderim të viktimave. Një veprim i tillë u është kërkuar ta ndjekin dhe ndërmarrjet private si dhe popullsia. "Gjithashtu ftohen të gjitha kanalet radiotelevizive publike dhe private të transmetojnë muzikë funebre", thuhet në vendim.

Komisioneri evropian, Stavros Dimas, përgjegjës në Komisionin për Mekanizmat e Mbrojtjes Civile në Parlamentin Evropian, tha në një deklaratë të tij se, "humbja e kaq shumë jetëve njerëzore në kaq vende, e bën këtë një katastrofë të pakrahasueshme. Shtetet e prekura nga ky shkatërrim kanë kërkuar asistencë dhe është përgjegjësia jonë t’i përgjigjemi menjëherë dhe me efikasitet. Unë bëj të ditur se Komisioni i Mekanizmave për Mbrojtjet Civile, ka ndërmarrë iniciativën për të dhënë kontributin e duhur në mobilizimin dhe koordinimin e ndihmave që vijnë nga 30 shtete, duke përfshirë dhe të gjithë Bashkimin Evropian".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›