E Diel, 1 Nëntor 2026

"Remzi Hoxha", gjykata i dërgon fletë-thirrjen Sefgjinit

 

Familjarët e Remzi Hoxhës kundër ish-shikasve, më 15 maj. Ja lista e dëshmitarëve kryesorë të prokurorisë

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda, e përfaqësuar nga gjyqtari Xhelal Elezi i dërgon fletë-thirrje katër të pandehurve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, duke i kërkuar të paraqiten mëngjesin e 15 majit në gjyq. Kryesuesi i togave të zeza, gjyqtari Elezi, pasi ka studiuar dosjen voluminoze prej 12 fashikujsh, të përpiluar nga prokurori Xhevat Hana ka vendosur që seanca e parë gjyqësore ndaj katër të pandehurve, mes të cilëve edhe drejtori i Tatimeve, Arben Sefgjini, të zhvillohet më 15 maj. Për herë të parë në këtë datë do të dalin para togave të zeza të pandehurit e kësaj dosjeje, Arben Sefgjini, Budion Meçe dhe Avni Koldashi, ndërsa Ilir Kumbaro mësohet se do të gjykohet në mungesë, pasi nuk dihet vendndodhja e tij.

***

Vetëm pak ditë më parë, prokurori i çështjes, Xhevat Hana,`` ka dorëzuar pranë togave të zeza dosjen penale me katër të pandehur, ish-drejtues të SHIK-ut. Pas depozitimit të kësaj dosjeje me nr. nr.449, është bërë hedhja e shortit elektronik ku i ka rënë për gjykim pesëshes së drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi dhe anëtarëve Dritan Hallunaj, Gurali Brahimllari, Etleva Deda dhe Nertina Kosova. Gjithashtu, mësohet nga këto burime se të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të drejtorisë së SHIK-ut dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në drejtorinë e SHIK-ut do të gjykohen në gjendje të lirë, pa një masë sigurie, edhe pse vepra për të cilën akuzohen rrezikon dënimin e tyre me nga 25 vjet burg. Gjyqtari Elezi, pas shfletimit të dosjes ka kërkuar gjithashtu edhe njoftimin e avokatëve mbrojtës të katër të pandehurve për datën e zhvillimit të seancës gjyqësore, ku mendohet se nuk do të mungojnë në sallën e gjyqit edhe familjarët e biznesmenit të zhdukur, Remzi Hoxha.

***

Mësohet gjithashtuse në listën e kërkesës për gjykim ndodhen emrat e një sërë dëshmitarësh, ku mes tyre dallojnë ish-drejtuesit e SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe Fatos Klosi si dhe të rrëmbyerit e tjerë ,Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj. Disa ish-punonjës të tjerë të SHIK-ut, që mendohet se kanë pasur dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës do të jenë gjithashtu në bankën e dëshmitarit. Ndërkohë, konfirmohet se dëshmitari kyç i çështjes është edhe i pandehuri Avni Koldashi, i cili ka pranuar për prokurorinë se ka marrë pjesë në operacionin për shoqërimin e Remzi Hoxhës në qendrën e SHIK-ut të asaj kohe.Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi dhe që kishte "siglën" e institucionit të SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.

LISTA E DËSHMITARËVE

1. Bashkim Gazidede, ish-kryetar i SHIK-ut,

2. Fatos Klosi, ish-kryetar i SHISH-it

3. Armando Loshaj, telekronist, (ndodhet në Holandë)

4. Ziso Kristopulli, ish-kryetar i PS-së në Ksamil

5. Arben Sefgjini, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë

6. Ilir Kumbaro, ish-oficer operativ i SHIK-ut, (dyshohet se ndodhet në Angli)

7. Avni Koldashi, ish-shefi i bazës së vëzhgimit numër 10 të SHIK-ut,

8. Budion Meçe, ish-oficer operativ i SHIK-ut

9. Mehmet Haxholli, ish-drejtori i SHIK-ut në Tiranë

10. Anibal Basha, ish-inspektor i SHIK-ut,

11. Nuredin Dervishi, ish-shefi i prapavijës pranë drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë

12. Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros pranë SHIK-ut

13. Xhafit Xhaferri, ish-punonjës i SHIK-ut

14. Flamur Gjymyshka, ish-zvdrejtori i Kundërzbulimit pranë SHIK-ut

15. Bexhet Muhellari, ish-inspektor pranë SHIK-ut, në lagjen e banimit të Hoxhës

16. Nexhmedin Hoxha, vëllai i Remzi Hoxhës

17. Sevdije Hoxha, bashkëshortja e Remzi Hoxhës

18. Viktor S. ish-roje në rezidencën në Vain të Lezhës

19. Rita M. ish-sekretare e rezidencës në Vain të Lezhës

20. Gjok H. përgjegjës në rezidencën në Vain të Lezhës

21. Viktor Sokoli banor nga Ksamili

22. Alma Kristopulli banore nga Ksamili

23. Lefter Jani banor nga Ksamili

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›