Ushtaraku, kamera për të vëzhguar mjekët e pacientët
zirina llambro
Kamera për të vëzhguar çdo lëvizje të bluzave të bardha e qytetarëve që hyjnë e dalin. Plot 50 të tilla do të instalohen në çdo cep të Spitalit Ushtarak. Gjithçka është bërë me dije në mbledhjen e djeshme në drejtorinë e këtij spitali. Veç mjekëve, merrte pjesë edhe gjenerali përkatës i Ministrisë së Mbrojtjes që merr vendimet për aktivitetin e SU-së. Në fakt, veç këtij lajmi të mirë, mbledhja është karakterizuar nga nota kontradiktore. Këtë konfirmuan për gazetën burime që ishin të pranishëm në të. Ndërsa është diskutuar gjerë e gjatë se infermieret duhet të kapin flokët në orarin e punës, të zbatojnë edhe rregullat e tjera për kërkesat e mjekëve nuk ka pasur asnjë përgjigje. "U kërkua prej tyre, që shërbimi i anatomi-patologjisë i cili mundëson kryerjen analizave të rëndësishme sidomos për sëmundje si tumoret, të ngrihet sërish e të pajiset me aparaturat e nevojshme, por kjo kërkesë u anashkalua", pohuan burime nga mbledhja. Ata pohuan se një tjetër pikë e rëndësishme, për të cilën pjesa dërrmuese e bluzave të bardha është shprehur kundër është edhe urdhri me i ri, që drejtoria pritet të nxjerrë këto ditë. "Është gati për t'u firmosur vendimi nga drejtoria përkatëse e Ministrisë së Mbrojtjes e pastaj ajo e spitalit për qarkullimin nga një pavijon tek tjetri i kryeinfermiereve të spitalit. Kjo pa u marrë asnjë mendim mjekëve. Urdhri e thënë ndryshe, nënkupton se kryeinfermierja që punon në pavijonin e Kardiologjisë, supozojmë prej 4 vitesh, të nisë punën në pavijonin e Ortopedisë. Kjo edhe pse pas përfundimit të shkollës specializimin e ka për shërbimin e parë e jo për të dytin", sqaruan burimet. Ata nënvizuan gjithashtu, se kjo formë qarkullimi sipas edhe vetë mjekëve do të pengonte menaxhimin e punës në një pavijon. "Por nga ana tjetër nuk është me vend, sepse për specializimin përkatës janë paguar para. Dhe pjesa më e madhe e personelit të mesëm, që mban ketë pozicion e ka kryer jashtë vendit", thanë burimet nga Spitali Ushtarak. Gjithaq, pohuan se ndonëse bluzat e bardha kanë kundërshtuar këtë ndryshim argumentet e tyre nuk janë marrë parasysh. "Në fakt është disi non sens që vendimet për organizimin e gjithë punës së mjekëve të merren nga persona të veçantë, që në fakt nuk është se e njohin shumë këtë profesion. Dihet që spitali është ushtarak dhe funksionon me grada, por në mjekësi grada nuk është parësore. Disa herë është propozuar që për menaxhimin dhe për organizimin e punës në shërbim të ngrihet një këshill, ku të marrin pjesë edhe mjekët", nënvizuan burimet nga spitali.