Vidhet arka e kishës së Shën Thanasit
ELBASAN - Vidhet me thyerje kisha e Shën Thanasit në Elbasan. Sipas policisë, rreth orës 21.00 është konstatuar vjedhja me thyerje në kishën e Shën Thanasit në lagjen "Haxhias" të qytetit. Autorët, pasi kanë hapur derën kryesore me sende të forta janë futur në kishë dhe kanë hapur arkën e saj prej druri, ku kanë vjedhur një shumë prej 74 mijë lekësh. Grupi hetimor nga këqyrja në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur gjetjen e një gjurme gishtash, e cila dyshohet të jetë lënë nga autori. Gjurma do të kalojë për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike. Kisha ortodokse e Shën Thanasit është ngritur në skajin verior të qytetit, në vitin 1846, fillimisht me përmasa të vogla prej druri. Në vitin 1942 realizohet ndërtimi i një kishe të re, mbi themelet e saj. a.k