Spitalet, nis llogaritja e kostove të shërbimit
Instalohet në spitale programi kompjuterik që do të bëjë mundur llogaritjen e kostove të shërbimit për pacientët, të cilat parashikohet të publikohen brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti. Projekti i hartimit të strategjisë së llogaritjes së kostos në shërbimin spitalor filloi në korrik të vitit 2010 dhe është zhvilluar nga ISKSH në bashkëpunim me Drejtorinë Spitalore dhe Drejtorinë Ekonomike, si pjesë e grupit të punës të ngritur për këtë qëllim. Lidhur me ecurinë e këtij projekti, ISKSh bën të ditur se pas përfundimit të ndërtimit të softit “Kosto Spitali” është bërë i mundur instalimi i tyre në gjitha shërbimet spitalore. Softi i llogaritjes së kostos do të bëjë të mundur fillimin e informatizimit të të dhënave të spitaleve të kontraktuara me ISKSH, duke regjistruar koston e kartelave klinike. Në softin “Kosto Spitali” do të regjistrohet dhe informacioni i kostove direkte dhe indirekte në spitale, gjë që jep mundësinë e llogaritjes së kostos totale të spitalit. Po ashtu, nëpërmjet këtij softi merret informacioni i kostos për diagnozë, shërbim, spital etj., si dhe nxjerrja e raporteve që eksportohen dhe përpunohen në programe të tjera si MS Excel. Sipas vendimit të marrë nga qeveria në fillim të vitit aktual, spitalet dhe ISKSH janë të detyruar të llogarisin koston e çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë, brenda 6-mujorit të parë të vitit 2011. Në këtë mënyrë, qeveria vendosi të shtyjë me 6 muaj afatin e përcaktuar më parë për llogaritjen e kostove e shërbimeve që financohen nga ISKSH. Në përfundim të këtij procesi, pacientët që do t’i drejtohen spitalit më të madh të vendit që është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të dinë me saktësi se sa do të jetë kostoja e kurimit të çdo sëmundjeje. Madje jo vetëm kaq, por me nxjerrjen e protokolleve të mjekimit, pacientët do t’i paguajnë ditët e qëndrimit në spitalin “Nënë Tereza” njëlloj sikur të ishin në hotel, me lekë për çdo orë. Ndarja që do t’u bëhet pacientëve përsa i përket pagimit të kostove, do të bazohet në të qenit i siguruar ose jo. Kështu, pacientët e siguruar nuk do të paguajnë për t’u vizituar dhe shtruar në spital, dhe do ta kenë thjesht për t’u informuar “faturën” e kostos së sëmundjes; ndërsa të pasiguruarit, do t’i paguajnë deri në qindarkën e fundit lekët që do të shpenzohen për kurimin e tyre.