Mjekët dhe Arsimtarët përfitojnë status
TIRANË- Një pjesë e mirë e administratës së Shërbimit Civil si, arsimtarët, mjekët, punonjësit e tatim-taksave, doganierët ,policët, etj., do të përfitojnë status të veçantë për shkak të profilit të punës që ata kryejnë.
Dhënia e statusit parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2013, brenda të cilit parashikohet të bëhet aplikimi i strategjisë së miratuar disa javë më parë.
Gjatë kësaj periudhe, parashikohet edhe një rritje në numër të punonjësve të Shërbimit Civil duke bërë të domosdoshme reformimim e mënyrës së administrimit të këtij sektori
Krahas kësaj, nga qeveria sugjerohet që të bëhet edhe një rishikim i regjimit të pagave për këta punonjës për ta pasuruar atë me përbërës që lidhen me trajnimet e detyrueshme, e ngjashme me atë që aplikohet për arsimtarët.
Por sipas Këshillit të Ministrave, kjo është një politikë që duhet studiuar edhe më tej për të parë avantazhet dhe dizavantazhet e saj.
Ristrukturimi i administratës është cilësuar si një hap thelbësor për proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.