E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, shpërblimet jo më shumë se 7 % të pagës

TIRANË- Për të gjithë ata që gjatë gjithë vitit kanë punuar në mënyrë shembullore dhe nisur nga kjo propozohet një shpërblim ai nuk do të jetë më shumë se 7 për qind të pagës vjetore. Ristrukturimi i Administratës miratuar nga qeveria parashikon që shpërblimi për punë të mirë të variojë nga 5 deri në 7 për qind të pagës.


Ky kriter është vendosur nga qeveria duke marrë parasysh eksperiencën ndërkombëtare sipas të cilës jo domosdoshmërisht pagesa lidhet me performancën e punonjësve të Shërbimit Civil. "Përdorimi i shpërblimeve financiare duhet të kufizohet në nivel 5-7 për qind të rrogës vjetore.


Pagesa që lidhet me performancën nga eksperienca ndërkombëtare sugjerohet se nuk funksionon në Shërbimin Civil. Ajo mund të funksionojë në disa shërbime publike, por kjo është një përjashtim, jo rregull", - theksohet në dokumentin e miratuar nga qeveria.


Po ashtu, nëse ndodh që puna e kryer vlerësohet negativisht, punonjësi nuk do të ulet në detyrë por do të përballet me zvogëlim të pagës ose kufizim i të drejtës së vendimmarrjes. Krahas kësaj, shihet si mundësi edhe marrja në patronazh deri në përmirësimin e ecurisë së tij nga eprori apo punonjës të tjerë me performancë më të mirë.


Të gjithë punonjësit e administratës do t'i nënshtrohen një trajnimi të posaçëm me module të caktuara në lidhje me nivelin dhe pozicionin që ata kanë. Trajnimet do të jenë të detyrueshme nëse gjatë ushtrimit të detyrës ata do të përballen me ndryshime substanciale në ligje apo politika.


"Duke filluar nga viti në vijim, krahas fondeve që janë të parashikuara në buxhetin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike, çdo agjenci shtetërore duhet të caktojë një fond të posaçëm për trajnimin e punonjësve të saj.


Krahas trajnimeve masive, duhen krijuar më tepër programe të tilla specifike që iu përgjigjen nevojave të veçanta dhe dinamikës së problematikave të Shërbimit Civil. Po ashtu duhet të përdoret një numër i kufizuar trajnimesh të detyrueshme e periodike", - theksohet në strategji.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›