E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët dhe infermierët shqiptarë të barabartë në trajtim

Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e maternitetit të Durrësit dhe takohet me mjekë dhe infermierë
Ka vizituar personalisht në mesditë të gjitha ambientet e rikonstruktuara të maternitetit të qytetit të Durrësit Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, doktoreshë Liri Berisha, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kandidatët për deputetë të zonës, mjekë dhe personel të kësaj qendre shëndetësore, e rikonstruktuar me 11 milion dollarë. Pasi ka prerë shiritin e inaugurimit, Kreu i Qeverisë ka vizituar ambientet e pajisura me një teknologji bashkëkohore dhe kushte optimale, si sallën e operacionit, sallën e lindjes, sallën e fëmijëve, laboratorin, etj. Dikur një nga profesorët më të njohur të kardiologjisë në Shqipëri, gjatë katër vitëve të qeverisë së tij, z. Berisha i ka kushtuar një vëmendje reale dhe të konfirmuar sistemit shëndetësor, të cilën e rikonfirmoi dhe në një takim më shumë se konkret, sa dhe miqësor dhe dashamirës, që zhvilloi sot me ekipin mjekësor të këtij materniteti, shumica prej të cilëve, siç tha ai, kanë qenë studentë të tij. Duke theksuar se Durrësi, si një qytet që zmadhohet çdo ditë e ka mëse të domosdshme këtë qendër shendetësore, ai rikujtoi rritjen e buxhetit për shëndetësinë në masën 71 për qind, dyfishimin e pagesave për infermierët, etj.
“Ju siguroj se pagat tuaja do të rriten edhe në katër vitet në vijim”, cilësoi Kryeministri, duke nëvizuar absolutisht mbështetjen financiare për infermierët dhe loborantët. Ne jemi të bindur, vijoi ai, se investimi në energjitë tuaja është mënyra më e mirë për të pasur standarde të larta dhe nivel shërbimi tek pacientët. Kryeministri kujtoi se në sistemin komunist, kur ai ka punuar si mjek, infermierët ishin më të diskriminuarit, sikundër kam parë në një vend ku kam kryer specializimin se infermierët ishin të barabartë me mjekët. Kryeministri premtoi sistem trajtimi të veçantë për këta punonjës dhe në rast se ne do të fitojmë, u shpreh ai, do të fitojnë dhe infermierët. “Secili është në pozicionin e tij. Mjeku është kryetar i ekipit dhe kështu do të paguhen dhe infermierët si për punën që bëjnë gjatë ditë, ashtu dhe për orët e natës”, tha Kryeministri.
Duke folur për vdekshmërinë foshnjore, Kreu i Qeverisë theksoi se ka rënë nga 40 fëmijë në 12 fëmijë. Ai iu kundërvu idesë së kryetarit të opozitës, Edi Rama, për heqjen e sigurimeve shëndetësore, të cilën e quajti shpartalluese. "Nga Bismarku deri më sot, tha ai, kanë ekzistuar sigurimet shëndetësore. Shteti duhet të jetë i detyruar të gjeje mekanizmat për ata individë që nuk mund të paguajnë". Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha theksoi dhe një herë se veç thellimit të reformës në shëndetësi, gjatë 4 viteve u ndërtua dhe një infrastrukturë spitalore e re në mbarë vendin. Ai siguroi se të gjitha këto reforma do të jenë në favor të përsonelit mjekësor. Kreu i qeverisë theksoi si mjaft të rëndësishme dhe luftën kundër korrupsionit në shëndetësi. Kjo luftë është jetike, tha ai, duke parashtruar se një nga hapat që do të vazhdojë të merret në këtë drejtim është rritja e rrogave. “Rrijta e rrogave ka një rëndësi të madhe sepse motivon njerëzit dhe i bënë ata të punojnë më të qetë”, tha Berisha, duke kujtuar se rroga e një mjeku aktualisht është 600 mijë lekë.  
Spitali i Durrësit, siç u shpreh Kryeministri, është një spital univerisitar dhe kjo krijon një bazë të fuqishme mbështetje për të hapur një fakultet të mjekësisë. “Vetëm në këtë mënyrë rriten stndardet për një personel më të specializuar”, tha ai. Materniteti i Durrësit u rikonstruktua me një investim prej 11 milion dollarësh, 7 milion prej të cilave të akorduar nga Banka Islamike dhe pjesë tjetër nga buxheti i shtetit. Falë këtij investimi është rikonstruktuar godina e patologjisë dhe ajo e maternitetit, një godinë katërkatëshe me një kapacitet prej 80 shtretër. Ky spital zotëron tashmë të gjitha parametrat bashkëkohorë, ndër të cilat dhe shkallët në raste emergjence.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›