E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e Korçës: Naumi erdhi në gjendje të rëndë

Mjeket e spitalit të Korçës kanë reaguar ditën e djeshme ndaj akuzave që u janë bërë nga familjarët e 53-vjeçarit Sotiraq Naumi, i cili humbi jetën nga një infeksion i papërcaktuar në Spitalin Ushtarak. Pas denoncimit që familjarët e viktimës kanë bërë për mjekim të pakujdesshëm nga ana e mjekëve të spitalit rajonal të Korçës, mjekët janë shprehur: “Pacienti Sotiraq Naumi ka mbërritur në spitalin e Korçës në gjendje të rënduar, pasi ka qenë rreth tri javë i sëmurë në shtëpi dhe është mjekuar me antibiotikë”. Sipas nëndrejtorit të spitalit të Korçës, Ilir Koroveshi, 53-vjeçari ishte shtruar në spital me gastroenterit në repartin e infektivit që prej 4 ditësh. “Pacienti ka ardhur në gjendje të rëndë, me bark, të vjella dhe temperaturë të lartë. Për dy ditë i është nënshtruar një terapie intensive dhe më pas është transportuar në repartin e reanimacionit, pasi gjendja e tij ishte rënduar”, - ka thënë nëndrejtori i spitalit. Njëkohësisht, mjekët kanë shtuar se duke parë që Naumi nuk po përmirësohej, ata kanë vendosur ta dërgojnë atë në Spitalin Ushtarak. Ndërsa nga ana tjetër mjekët e Spitalit Ushtarak kane thënë se 53-vjeçari është dërguar në gjendje shumë të rëndë dhe nuk ka mundur dot t’i rezistoj gjendjes së tij për të përcaktuar diagnozën e vërtetë që e kishte pushtuar. Sipas burimeve të Spitalit Ushtarak, është bërë me dije se 53-vjeçari Sotiraq Naumi ndërroi jetë pas 14 orësh vdekje klinike.

Hetimi

Pas denoncimit të familjarëve, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për mjekim të pakujdesshëm të mjekëve të qytetit të Korçës. 53-vjeçari kishte mbërritur në Spitalin Ushtarak me infeksion dhe baktere në gjak. Ekspertiza mjeko-ligjore do të vërtetojë nëse vdekja ka qenë natyrore apo ka ardhur nga pakujdesia. Prokurorisë i duhet të presë dy javë mjekësinë ligjore për të vendosur nëse do të marrë të pandehur ndonjë prej mjekëve të spitalit të Korçës apo do ta mbyllë dosjen duke e konsideruar ngjarjen si një fatkeqësi dhe vdekje natyrore.

Ngjarja

Sotiraq Naumi kishte mbërritur në gjendje të rëndë nga spitali i Korçës, të enjten, fillimisht në spitalin numër 2 të Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranës. Me kërkesë të drejtuesve të QSUT-së, është bërë transferimi urgjent i pacientit për ekzaminim dhe terapi intensive në Spitalin Ushtarak, ku gjendeshin aparaturat e duhura për ta mbajtur sa më gjatë në jetë pacientin, për t'u dhënë kohë mjekëve që të ndërhynin. Ekipi i mjekëve ka punuar në dy drejtime, njëri për të mbajtur në jetë 53-vjeçarin dhe tjetri për të zbuluar arsyen që ka çuar në marrjen e infeksionit. Megjithëse u vendos në aparaturat e Spitalit Ushtarak, Naumi nuk mundi të jetonte aq kohë sa u duhej mjekëve për të gjetur shkakun e sëmundjes dhe terapinë për ta shpëtuar. Mjekët e Spitalit Ushtarak thanë se mikrobet që kishin infektuar gjakun e pacientit, janë rezistente ndaj antibiotikëve, dhe shkalla e rëndë e sëmundjes i bëri të kota përpjekjet për t'i shpëtuar jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›