E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret në qeli i dënuari për abuzim seksual me mbesën

Ende pa u shuar mirë jehona e vdekjes së dyfishtë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin të Mynyr Muçës dhe bashkëshortes së tij, një tjetër vdekje në mjediset e qelive ka vënë seriozisht në pikëpyetje kushtet e sigurisë në burgje. Këtë herë, bëhet fjalë për paraburgimin në komisariatin e policisë së Korçës, ku në orët e para të mëngjesit të djeshëm një i akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë është vetëvarur. Enver Mehmetalli, 46 vjeç nga Korça, është gjendur i vetëvarur me një çarçaf nga gardianët. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë autoritetet e larta si dhe ekspertë të Drejtorisë së Policisë së Korçës të cilët, pas hetimeve të para, kanë dalë në përfundimin se Mehmetalli ka shfrytëzuar kohën kur shoku i tij i qelisë ka dalë për të kryer nevojat personale sipas orarit të përcaktuar dhe në këtë kohë me një çarçaf është vetëvarur në hekurat e dritares së qelisë. Lajmi konfirmohet nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, trupi i tij është dërguar menjëherë në morgun e spitalit të qytetit ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore nga ku do të përcaktohet dhe shkaku i vdekjes. I arrestuar para katër muajsh, 46-vjeçari akuzohej nga policia për kryerje të marrëdhënie seksuale me dhunë me mbesën e tij minorene, ndërkohë që për këtë Gjykata e Shkallës së Parë e qytetit të Korçës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.

Një i arrestuar për marrëdhënie seksuale me të mitur i ka dhënë fund jetës të dielën në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Korçës. Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Korçës, ngjarja ka ndodhur në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm, kur 46-vjeçari mendohet të ketë varur veten në një moment kur është ndodhur i vetëm në dhomën e paraburgimit. Viktima është gjetur i vdekur në qeli nga polici i shërbimit, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në morgun e qytetit.

Pas ngjarjes, policia ka marrë në pyetje punonjësit e paraburgimit të cilët kanë qenë me shërbim në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Po kështu, në pyetje është marrë dhe shoku i dhomës së të akuzuarit Mehmetalli. Ndërkohë që sipas të dhënave nga policia, është urdhëruar një hetim i imtësishëm për të zbardhur krejtësisht ngjarjen që brenda pak kohësh i mori jetën një tjetër personi në ambientet e izolimit në burgjet shqiptare.

I arrestuari ishte kapur 4 muaj më parë nga policia për veprën penale “marrëdhënie seksuale me të mitura” pasi dyshohet të ketë abuzuar seksualisht me mbesën e tij dhe për këtë kishte marrë masën e sigurisë “arrest me burg pa afat”.

Rasti

Vdekja e Mynyr Muçës dhe e bashkëshortes

Organizimi i detajuar i vrasjes së bashkëshortes, Thëllëza Muça, dhe më pas vetëvrasja nga i dënuari Mynyr Muça më 29 korrik të këtij muaji, ka vënë në pikëpyetje sigurinë e të burgosurve në qelitë ku vuajnë dënimin. Për këtë arsye, menjëherë pas rastit në fjalë, një përfaqësi e Avokatit të Popullit ka shkuar në burgun e Peqinit për të marrë kontakt me drejtuesit e këtij institucioni lidhur me kushtet e sigurinë e të burgosurve. Shkak është bërë ngjarja e rëndë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku 33-vjeçari Mynyr Muça, i dënuar me 22 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë në dëm të punonjësve të policisë, vrau bashkëshorten e tij dhe më pas veten. Për këtë arsye, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë pasur synim verifikimin e kushteve të sigurisë në dhomat ku vuajnë dënimin një pjesë e madhe e të burgosurve për vepra të rënda penale. Gjithashtu, edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve ka nisur një hetim nga ana e tij në lidhje me sigurinë e të burgosurve në burgun e Peqinit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›