E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali ; Vdes në aksident emigranti shqiptar

Pesë të rinj, mes të cilëve një shqiptar, kanë gjetur vdekjen në një aksident tragjik rrugor që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Bari të Italisë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:30 minuta kur një makinë tip Mercedes, ku udhëtonin dy çifte të fejuarish italianë, është përplasur me një makinë tip Volvo, ku udhëtonin dy shqiptarë, në rrugën mes Bishelias e Molfetës. Lajmi është bërë i ditur në mediat italiane një ditë më parë, sipas të cilave, emigranti Dritan Hoxha, 23 vjeç, është nisur për në punë si zakonisht, por ka mbetur i vdekur në vend nga përplasja e makinave. Katër viktimat e tjera janë dy çifte të fejuarish nga Molfetesi i Italisë, të cilët udhëtonin në makinën tip Mercedes, Lazaro Rizi, Analiza de Çelie, Serxho Xhenaro dhe Elizabeta Kanjeta, të gjithë të moshës nga 21-27 vjeç. Sipas medieve vendase, aksidentit tragjik ka arritur t'i mbijetojë vetëm drejtuesi i automjetit tip Volvo, shqiptari Elvis Ramaj. Aktualisht 20-vjeçari Ramaj ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin 'Bonomo' në Andria. Pak para se të hynte në sallën e operacionit 20-vjeçari ka treguar gjithçka rreth aksidentit. Dy të rinjtë shqiptarë ishin nisur drejt Bishelias ku shoku i tij, Dritani, punonte. Sakaq, policia italiane pohoi për mediat lokale se katër të rinjtë italianë para aksidentit kishin qenë në një festë.

Ka qenë Mercedesi ku udhëtonin 4 të rinjtë italianë që ka shkaktuar aksidentin tragjik. Sipas policisë italiane Mercedesi ka kaluar në korsinë e kundërt duke i prerë rrugën Volvos, në të cilën udhëtonin dy shqiptarët. Sipas policisë aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe nuk përjashtohet që drejtuesi i mjetit, Lazaro Rizi të ketë pirë alkool.

Ekspertët mjeko ligjorë do të kryejnë sot në mbrëmje analizën toksikologjike në trupin e Lazaro Rizit, për të vërtetuar nëse 27-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur apo jo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›